Bologna mposht Napolin, Dallinga dhe Lucumì vendosin ndeshjen në ‘Dall’Ara’

Napoli nuk arriti të përfitonte nga rasti për t’u shkëputur në krye të renditjes, pasi u mund 2-0 nga Bologna në javën e 11-të të Serisë A. Skuadra e Antonio Contes, pas dy barazimeve radhazi mes kampionatit dhe Champions League, u ndal në “Dall’Ara” dhe mbetet me 22 pikë, duke humbur terren ndaj Interit dhe Romës në garën për kreun.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritmi i lartë, por me pak raste të pastra për shënim. Mundësia më e mirë erdhi nga Rowe, por tentativa e tij u ndal nga portieri Milinković-Savić.

Në pjesën e dytë, Bologna gjeti frymën e duhur dhe kaloi në epërsi në minutën e 50-të: pas një aksioni të shpejtë, sulmuesi Dallinga realizoi nga afër pas asistit të Cambiaghi-t, i cili sapo kishte hyrë në fushë. Më pas, në minutën e 66-të, Lucumì vulosi fitoren me një goditje të saktë me kokë pas një krosimi nga Holm.

Me këtë triumf, Bologna e trajnerit Vincenzo Italiano ngjitet në kuotën e 21 pikëve, duke iu afruar zonës Champions dhe duke konfirmuar momentin e mirë të formës së skuadrës “rossoblù”.

Ndërkohë, sfida e javës së 11-të e Serisë A midis Genoas dhe Fiorentinës përfundoi me barazim 2-2, në një përballje plot kthesa dhe ngjarje dramatike.

Skuadra vendase kaloi në epërsi në minutën e 15-të me golin e Ostigard, por vetëm pesë minuta më vonë Fiorentina barazoi me penalltinë e ish-lojtarit të Genoas, Gudmundsson. Në pjesën e dytë, Colombo humbi një penallti në minutën e 50-të, ndërsa Fiorentina përmbysi rezultatin në minutën e 57-të me golin e Piccoli-t.

Megjithatë, tri minuta më vonë, i njëjti Colombo u shlye për gabimin e mëparshëm duke realizuar golin e barazimit 2-2, rezultat që mbeti deri në fund.

Në debutimin e tij në stolin e Fiorentinës, trajneri Paolo Vanoli mori një pikë të vlefshme, ndërsa ndeshja la shenjë për ritmin e lartë dhe emocionet e vazhdueshme në “Luigi Ferraris”.