Pathyeshmëria e Edi Ramës është veç një mit

Qeveria e drejtuar nga Edi Rama tani e ka humbur forcën për të ndryshuar, për t’u riafirmuar. Ajo është shumë e dobët, është kulturalisht shumë e dobët. Askush s’e njeh më këtë qeveri. Mendimi qëndron në nivelin më të ulët të mundshëm. Qeveria e drejtuar nga Rama u prit se mund të ishte diçka krejt ndryshe, por sot është një karikaturë e vetvetes. Ajo është e dobët shpirtërisht dhe mendërisht. Nuk është e mundur të shërohet, pasi aferat e shumta korruptive, mungesa e vizionit dhe lidhjet e saj të errëta s’do ta lejonin.

Çdo ditë e më shumë po krijohet bindja se Rama dhe qeveria që drejton janë në grahmat e fundit të saj, ajo po bie. Për këtë arsye po bëhet gjithë kjo zhurmë. Qeveria ka menduar të gjejë shpëtim tek divorcet, tek derivatet e ndryshme gjinore apo tek hutimi i qytetarëve, duke përdorur të gjitha marifetet dhe fantazitë e mundshme. Ndoshta, nuk ka ku kapet tjetër. E majta nuk dorëzohet kollaj, edhe e mbytur – diku kapet… te rrënjët e pemës. Por kur vjen koha, vjen. Nuk besojmë se shqiptarët do ta mbanin sot një kryeministër të tillë si Edi Rama, nëse gjatë këtyre viteve nuk do të ishin të mërzitur. Por tani, zgjedhjes së tyre i mungon durimi. Është mërzitja nga gjërat e përsëritura; e njëjta gjë, e njëjta filozofi, e njëjta sjellje, të njëjtat fjalë. Është nga lodhja me të, nga boshësia e të kuptuarit, nga gjithçka që përfaqëson.

Nisur nga kjo ide, mund të themi se qeveria e Edi Ramës, si çdo qeveri dhe më shumë se disa të tjera në rajon dhe Europë, meriton një opozitë të fortë. Si institucion i kontrollit dhe alternativë e pushtetit. Opozita është përballë qeverisë edhe kur kjo e fundit qeveris me sukses, në respekt të programit të saj të votuar. Aq më shumë është përballë kur qeveria dështon të mbajë fjalët dhe më shumë akoma kur bën e lejon gjëra të padëshiruara. Promovimi në pushtet i individëve me rekorde kriminale, shndërrimi i krimit në skemë elektorale dhe korrupsioni qeveritar i shtrirë në shkallë të gjerë janë tri njollat e mëdha të mandatit të tretë të qeverisjes së Ramës.

Sigurisht, kjo qeverisje ka grumbulluar edhe një seri dështimesh të tjera, abuzimesh dhe shkeljesh të hapura që nuk mund të injorohen. Sakatimi i fondeve publike, mungesa e transparencës dhe favorizimet e shumta për një grup klientësh janë vetëm disa nga provat që tregojnë se kjo qeveri ka humbur kontaktin me realitetin dhe interesat e qytetarëve. Spektri i problematikave që opozita mund të përdorë për të sfiduar Edi Ramën është i gjerë dhe i qartë. Në vitin e dymbëdhjetë të mandatit të tij si kryeministër, iluzioni i pathyeshmërisë së tij duket gjithnjë e më shumë i dobët. Ai nuk është i pathyeshëm, por është një politikan që ka përdorur mjeshtërisht dinakërinë për të manipuluar perceptimet dhe për të shmangur përgjegjësinë.

Ky mit i pathyeshmërisë është ushqyer nga vlerësime të gabuara dhe nga politikanë të pafuqishëm në përballje, të cilët as nuk kanë guxim dhe as imagjinatë për ta sfiduar. E vërteta vret më shumë se plumbi dhe, nisur nga ky postulat logjik, s’mund të themi se vendimet e tij nuk kanë pasur pasoja reale dhe negative për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Çdo ditë që kalon, çdo skandal i ri dhe çdo keqmenaxhim tregon se kjo qeveri nuk mund të vazhdojë pa u shqyrtuar dhe pa u marrë në llogari. Edi Rama meriton të largohet dhe do të largohet. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por është edhe një detyrim moral. Qytetarët kanë të drejtë kur kërkojnë drejtësi dhe qeverisje të përgjegjshme. Pathyeshmëria e tij është vetëm një mit, i cili po shembet çdo ditë që kalon. Koha e largimit të tij po afron, sepse edhe nëse do duam ne, asnjë mit nuk mund të qëndrojë përballë së vërtetës.

Në këtë tabor faktesh dhe të vërtetash, synimesh dhe ëndrrash, aspiratash dhe nevojash, vlen të theksohet sot dhe gjithmonë se largimi i Edi Ramës dhe qeverisë së tij nuk mund të realizohet me mjete të dhunshme, sado legjitime të jenë ato. Dhuna dhe mjetet antidemokratike e ndihmojnë Edi Ramën të qëndrojë në pushtet, për faktin e thjeshtë se përkundër një kërcënimi të tillë të papranueshëm për kodet e demokracisë, të gjitha vendet perëndimore, edhe ato që kanë pasur dhe kanë qëndrime shumë kritike për qeverisjen e tij, janë të shtrënguar të mbajnë anën e parimeve, gjë që ky i fundit nuk ka problem ta tregojë si mbështetje për të. Nuk mund të ekzistojë asnjë vend në familjen e kombeve të lira ku qeveritë të jenë alternuar në bazë të luftës për jetë a vdekje.

Por, siç u përmend më lart, për të shpresuar në sukses, Partia Demokratike duhet të jetë jashtëzakonisht elektorale dhe shumë profesionale në të gjitha qëndrimet e saj, duke marrë parasysh situatën ku ndodhet. Paralajmërimet e saj për nisjen e protestave, edhe pse të vonuara, vijnë në një kohë kur perceptimi qytetar ekziston dhe është në nivelin më të lartë të mundshëm, se kjo mazhorancë ka kapur fundin, qoftë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit qeveritar, po ashtu edhe për shkak të krijimit të pak mundësive për punësim dhe strehim. Populizmi nuk ndez më, nuk vlen për asgjë, pasi është konsumuar si instrument politik. Vetëm krijimi i një agore mendimi, në kushtet e një izolimi institucional dhe mediatik, e shndërron aksionin opozitar në protagonizëm politik, sepse alternativën dhe retorikën e saj e çon tek qytetari shqiptar, në të njëjtën kohë, duke e thirrur këtë të fundit për të qenë ai protagonist.

Një qytetar që e gjen veten tek aksioni opozitar, nuk është vetëm një individ dhe s’mund të jetë vetëm një individ, ai është një histori njerëzore që bashkohet me dhjetra e dhjetra të tjera histori të ngjashme njerëzore, të cilat komunikohen live në sheshe, në media dhe në ekrane televizionesh. Duke u komunikuar si të tilla, shndërrohen në ngjarje të jetuara, në eksperienca jetësore që kërkojnë në ndihmë edhe histori të tjera, duke u shndërruar në fund në protesta popullore, që më shumë se politika i lidhin historitë e ngjashme dhe, duke qenë të tilla, s’mund të krijojnë asgjë tjetër përveçse përvoja të suksesshme. Masiviteti e përmban në vetvete vetëdijen e forcës. Ky është caku për t’u mbërritur nga opozita. E bën dot?