Varkë me emigrantë Rohingya fundoset në brigjet e Malajzisë, qindra të zhdukur

Një varkë që transportonte anëtarë të komunitetit Rohingya nga Myanmari është fundosur pranë kufirit tajlando-malajzian, me qindra të zhdukur, shtatë të vdekur dhe 13 të shpëtuar, tha të dielën agjencia detare malajziane.

Ekipet e shpëtimit po kërkonin një sipërfaqe prej 170 miljesh detare pranë ishullit Langkawi të shtunën, pasi një varkë me 300 persona në bord u largua nga shteti Rakhine i Myanmarit tre ditë më parë, tha kreu i agjencisë detare për zonën, Romli Mustafa.

Imazhet nga agjencia treguan një të mbijetuar të mbuluar me çarçaf dhe një tjetër në barelë.

Shteti i varfër Rakhine i Myanmarit ka vuajtur vite të tëra konflikti, urie dhe dhune etnike që synojnë kryesisht komunitetin pakicë mysliman Rohingya. Të dëbuar nga shteti Rakhine pas një goditjeje brutale ushtarake të vitit 2017, rreth 1.3 milionë Rohingya jetojnë si refugjatë në kampe të dendura në Bangladeshin fqinj.

Media shtetërore malajziane Bernama citoi shefin e policisë së provincës Kedah, Adzli Abu Shah, të ketë thënë se njerëzit fillimisht hipën në një anije të madhe nga Mianmari, por u udhëzuan të transferoheshin në tre anije më të vogla, secila me rreth 100 persona, për të shmangur zbulimin ndërsa i afroheshin Malajzisë.

Statusi i dy anijeve të tjera ishte i panjohur dhe një operacion kërkim-shpëtimi ishte duke vazhduar, tha ai.

Të përballur me dhunë në shtëpi në Mianmar dhe kushte gjithnjë e më të vështira jetese në Bangladesh, Rohingyat nga të dy vendet përpiqen rregullisht të bëjnë udhëtime të rrezikshme nga deti, përfshirë edhe në Malajzi.

Më shumë se 5,100 Rohingya kanë marrë varka për t'u larguar nga Mianmari dhe Bangladeshi midis janarit dhe fillimit të nëntorit të këtij viti, me gati 600 persona të raportuar të vdekur ose të zhdukur, sipas të dhënave nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët./ Reuters.