'Nëse ke besim, gjithçka mund të ndodhë'/ Mesazhi i Kryepiskopit Joan në të Dielën e VII të Llukait
Sot u mbajt Liturgjia e Shenjtë nga e Diela VII e Llukait. Liturgjia u mbajt në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë.
I pranishëm ishte edhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani që mbajti edhe një predikim.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi tregoi sa shumë shpresë mbart Ungjilli, teksa tregoi edhe raste mrekullish.
Përmes mrekullive të shkruara në Ungjill, Kryepiskopi ndau mesazhin e largimit të frikës, pasi përmes besimit dhe pranisë së Zotit mund të ndodhë edhe më e paimagjinueshmja.
“Ungjilli i sotëm është një ungjill shprese, që tregon se mund të ketë shpresë edhe atje ku situata duket e pashpresë. Pasi Zoti bëri një shërim në Gadara, u afrua në anën e liqenit. Një grua me një plagë prej 12 vjetësh, por nuk kishte arritur rezultat, iu afrua se mos ndoshta shërohet. Në çast iu ndal gjaku. Zoti iu drejtua nxënësve dhe i pyeti se kush e preku. Gruaja i ra në gjunjë dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur. Zoti i tha të mos ketë frikë, por zemër. Nëse ke besim, gjithçka mund të ndodhë. Ky është ungjilli i sotëm. Në raste të pashpresa, sa shpresë mund të kemi ne? Prania e Zotit e bën të pamundurën të mundur”,-tha Kryepiskopi