Balotazhi në Kosovë/ Votojnë kandidati dhe kryetari i LDK: Sot vendoset fati i qyteteve për katër vitet e ardhshme

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, ka ushtruar sot të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Ai u shpreh se qytetarët kanë treguar maturi dhe pjekuri gjatë procesit zgjedhor.

“Qytetarët kanë treguar maturi dhe pjekuri në këto zgjedhje. Uroj që më i miri të fitojë. Na e priftë mbara të gjithëve”, tha Rama.

I pyetur mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Prishtinën dhe Kosovën, Rama tha:
“Mendoj se këto zgjedhje janë të rëndësishme, sot nuk e definojnë vetëm të ardhmen e kryeqytetit, por edhe të vendit. Për ne është e rëndësishme që qytetarët të votojnë për kahjen e duhur të vendit.”

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mori pjesë në votim dhe theksoi se sovrani vendos për fatin e qyteteve për katër vitet e ardhshme.

“Sot është dita kur vendimmarrja i kthehet sovranit dhe vendoset fati i qyteteve tona për katër vitet e ardhshme. Jam i lumtur për nivelin demokratik që si shoqëri tregojmë në proceset zgjedhore. Standardet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës që tregojmë në organizimin dhe pranimin e zgjedhjeve janë një mrekulli demokratike, me të cilën populli i Kosovës duhet të krenohet”, tha Abdixhiku.