Celibashi pranon patronazhimin në Mat: Do ta adresojmë rastin

Një moment kyç gjatë komunikimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me mediat ishte përballja direkte me akuzat për parregullsi serioze në procesin zgjedhor në bashkinë e Matit. E gjithë vëmendja u përqendrua në një problematikë të vjetër që duket se refuzon të zhduket nga zgjedhjet shqiptare: patronazhimi dhe presioni ndaj votuesve.

Gazetarja e SYRI TV Ambrozia Meta, duke cituar denoncimin e deputetes së Partisë Demokratike, Denisa Vata, solli në vëmendje të Celibashit praninë e zyrtarëve lokalë dhe punonjësve shtetërorë pranë qendrave të votimit, të cilët dyshohet se mbanin shënime për lëvizjet e votuesve.

Kjo praktikë, e faktuar edhe nga raportet e OSBE/ODIHR në të kaluarën, u shoqërua me një tjetër incident shqetësues: ndalimin e gazetarëve për të filmuar, një e drejtë e garantuar me ligj.

Përfaqësuesi i KQZ-së, Celibashi,  rikonfirmoi se ligji shqiptar garanton liri të plotë për median për të dokumentuar procesin dhe u zotua se çdo rast pengimi do të hetohet. Më tej, ai e cilësoi patronazhimin dhe çdo formë intimidimi si veprime rreptësisht të ndaluara dhe paralajmëroi se KQZ nuk do të hezitojë të marrë masa ligjore, duke përfshirë edhe komunikimin me Policinë e Shtetit dhe organet e ndjekjes penale.

Pyetja këmbëngulëse e gazetares, e cila theksoi se ky nuk është një fenomen i ri, e vendosi KQZ-në përballë përgjegjësisë për të kaluar nga fjalët në vepra. Premtimi përfundimtar ishte se rasti do të adresohej formalisht dhe me urgjencë menjëherë pas konferencës. Ky shkëmbim nxjerr në pah sfidat e vazhdueshme për garantimin e zgjedhjeve plotësisht të lira dhe të ndershme dhe rolin kritik të medias në monitorimin dhe denoncimin e parregullsive.
 

Pyetja e gazetares së SYRI TV:  Ambrozia Meta nga Syri Televizion. Zoti Celibashi, është raportuar në fakt një problematikë të cilën e kemi parë edhe në zgjedhjet e shkuara sërish të përsëritur edhe në këto zgjedhje lokale. Në Mat ka pasur një denoncim nga kandidatja e Partisë Demokratike, deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, e cila thotë se në qendrat e votimit të, pranë qendrave të votimit ka pasur prezencë të drejtuesve lokalë, në Mat dhe gjithashtu të punonjësve të tjerë shtetërorë, të cilët mbajnë shënim votuesit, kush hyn, kush del, duke parë pra, duke i patronazhuar ata. Duke qenë se është edhe një problematikë e hasur në vazhdimësi që raportohet ose faktohet edhe në raportin e OSBE-ODIHR-it. Në rastin konkret, deputetja pretendon se nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje nga ana e KZAZ-së, as nga ana e policisë, dhe në Mat sërish ka pasur një tjetër rast ku gazetarët dhe operatori nuk janë lejuar të filmojnë me pretendimin nga ana e komisionerëve se nuk mund të filmojnë dhe nuk lejohet. Për ta sqaruar këtë pjesë, për ta ditur që nuk ka, nuk duhet të ketë pengesë nga ana e tyre dhe për pjesën e patronazhimit të votuesve, si do të zgjidhet kjo problematikë të cilën ne tashmë e shohim në të gjitha zgjedhjet? Faleminderit.


Celibashi: Në lidhje me të drejtën e përfaqësuesve të medias për të qenë prezent edhe duke filmuar në ambientet e qendrave të votimit,  do të duhet ta theksoj që nuk ka asnjë kufizim. Legjislacioni shqiptar, në dallim me disa vende të tjera, përfshirë dhe vende të Bashkimit Europian ku ka ndalime, ne nuk kemi ndalime. Pra, gazetarët, operatorët e mediave kanë gjithë lirinë për të qenë prezent në qendrat e votimit.

Dhe për këto raste që ju sollët në vëmendjen tonë, ne do të angazhojmë strukturat përkatëse të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të adresuar këtë problem. Dhe ajo çfarë është po të jetë kaq e rëndësishme, problematika që është konstatuar në disa qendra votimi në lidhje me praninë e personave të paautorizuar,  tani po biem në dijeni të këtij fakti në fakt dhe do të, do ta adresojmë duke komunikuar me, qoftë edhe me policinë e shtetit nëse do të jetë nevoja. Është e ndaluar në mënyrë kategorike dhe do t'i nënshtrohen, veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Për të gjithë ata të cilët mbajnë shënim kush voton, kush nuk voton, kush hyri dhe kush doli nga qendra e votimit, apo edhe më keq akoma, të cilët përpiqen të intimidojnë votuesit në qendrat e votimit.
Nuk kemi hezitim për ta bërë.

Thashë që do ta evidentojmë në pikëpamje formale këtë, këtë rast dhe këtë problematikë edhe do ta adresojmë, qoftë edhe tek organet e ndjekjes penale nëse është rasti për ta adresuar në këtë mënyrë. Por menjëherë sapo ta përfundojmë këtë komunikimin me ju, do të komunikojmë me stafin e KQZ-së për ta, për ta adresuar ashtu sikurse do të duhet të adresohet ky rast.