Balotazhi në Kosovë/ Kurti voton në Prishtinë: Ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar votën e tij këtë mëngjes në një qendër votimi në Prishtinë, teksa raundi i dytë i zgjedhjeve lokale zhvillohet në 18 komuna të vendit. Pas hedhjes së votës, Kurti e cilësoi ditën e balotazhit si “një ditë të mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”, duke e konsideruar procesin si një provë të rëndësishme për zgjedhjen e kryetarëve të rinj vendorë.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të vendosin për drejtimin e komunave për katër vitet e ardhshme. “Të gjithë qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë rast dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes për të ardhmen e komunave të tyre,” deklaroi Kurti.
Zgjedhjet e sotme të balotazhit po zhvillohen në 18 komuna, mes të cilave Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Gjilani, Suhareka, Rahoveci, Vushtrria, Mitrovica e Jugut, Fushë-Kosova, Vitia, Obiliqi, Kaçaniku, Dragashi, Juniku, Klina, Mamusha dhe Kllokoti. Raundi i dytë konsiderohet një test i rëndësishëm për fuqinë e partive politike në nivel lokal, por edhe një tregues i prirjeve që mund të ndikojnë skenën politike qendrore në Kosovë.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, vendvotimet do të qëndrojnë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00 në të gjitha komunat ku po zhvillohet balotazhi.