Zgjedhjet e pjesshme në Mat, Bodlli: Komisionerët kanë urdhër të ndalojnë mediat të filmojnë procesin e votimit
Procesi i votimit në Bashkinë e Matit është shoqëruar me tensione dhe incidente.
Gazetari Klajdi Bodlli raporton për Syri TV se në qytetin e Burrelit sot po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie ku janë hasur disa problematika në qendrë e votimit në zonën e Lagjes së Re', ku gazetari dhe operatori janë ndaluar të filmojnë procesin dhe anëtarët e komisioneve të cilët janë shprehur se kanë urdhë të ndalojnë mediat.
Gjithashtu sipas raportimit pritet që rreth orës 10:00 kandidati i mbështetur nga PD, Eduart Brahilika të votojë në Pallatin e Kulturës.
Në qendrën e votimit të ‘Lagjes së Re’ ka votuar kandidati i Partisë Socialiste, Altin Bonji. Pas votimit, ai ka dhënë një mesazh për qytetarët, duke i ftuar ata të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
I pyetur nga Syri TV në lidhje me raportimet për presione ndaj votuesve në disa qendra, ku mësohet se punonjës të administratës ushtrojnë ndikim mbi zgjedhësit, zoti Bonji nuk ka preferuar të japë një përgjigje. Megjithatë, në qendrën ku ai votoi, ndoshta për shkak të pranisë së mediave, nuk janë vërejtur persona jashtë ambienteve të votimit.
Ndërkohë, siç tregohet edhe në një video të siguruar nga Syri TV, gjatë përpjekjes për të filmuar procesin normal të punës së komisionit zgjedhor, është tentuar të ndalohet filmimi. Sipas anëtarëve të komisionit, ekzistonte një urdhër për të mos lejuar pamje nga brenda, por pas një diskutimi me stafin tonë, filmimi është lejuar.
Siç kanë raportuar edhe kolegët tanë nga terreni, kjo situatë është konstatuar edhe në disa qendra të tjera votimi në territorin e Bashkisë Mat.
Pritet që rreth orës 10:00 të ushtrojë të drejtën e votës edhe kandidati i mbështetur nga Partia Demokratike, Eduart Brahilika, në qendrën e votimit që ndodhet në Pallatin e Kulturës në Burrel.