Probleme në qendrat e votimit në Mat: Qytetarëve u zhduket emri nga listat, transferohen në qendra të tjera pa njoftim
Në disa qendra votimi të Bashkisë Mat janë konstatuar probleme serioze me listat e votuesve, duke shkaktuar pakënaqësi dhe konfuzion te qytetarët që kanë shkuar për të votuar në orët e para të ditës.
Sipas burimeve të Syri Televizion në qendrën e votimit nr. 0930/30, disa votues nuk kanë gjetur emrin e tyre në listat e afishuara, megjithëse aty kanë votuar edhe në zgjedhjet e mëparshme. Pas verifikimeve, është konstatuar se emrat e tyre janë transferuar në një qendër tjetër votimi, konkretisht në Muzhak, Komsi – QV nr. 0945/00, pa asnjë njoftim paraprak.
Qytetarët shprehen të indinjuar dhe e konsiderojnë këtë një veprim të paqartë dhe të pajustifikuar nga administrata zgjedhore.
Punonjësit e qendrës së votimit, sipas burimeve në terren, nuk kanë dhënë shpjegime për arsyet e këtij transferimi, duke shtuar më tej konfuzionin dhe dyshimet për mënyrën se si po administrohet procesi.
Procesi i votimit në Mat po vijon, megjithatë këto episode kanë ngritur shqetësime për transparencën dhe besueshmërinë e listave zgjedhore në këto zgjedhje të pjesshme vendore.