Nis balotazhi në 18 komuna të Kosovës

Sot në Kosovë po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, në komunat ku raundi i parë, i mbajtur më 12 tetor, nuk solli fitues të qartë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), balotazhi po mbahet në 18 nga gjithsej 38 komuna të vendit.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. Në mbarë vendin janë organizuar 525 qendra votimi me gjithsej 1.648 vendvotime. Prej tyre, 507 qendra me 1.628 vendvotime janë për votimin e rregullt, ndërsa për votimin me kusht janë paraparë 18 qendra – nga një në secilën komunë – me gjithsej 20 vendvotime.

Balotazhi po mbahet në këto komuna: Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamusha dhe Kllokot.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në këtë proces kanë të drejtë vote 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë.

Procesi i votimit, sipas autoriteteve zgjedhore, po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe nën mbikëqyrjen e vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë.