VIDEO/ Rrëfimi ndryshe i Sokol Marsit: Në art nuk ka drejtor, por 'artist të parë'

Nga Egla Xhemalaj

Në ‘Odeon’, drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi, solli një vështrim të thellë mbi artin dhe përgjegjësinë që mbart krijimtaria.

Ai theksoi se në art rëndësi ka fryma që e udhëheq, ndërsa cilësia artistike lind nga kujdesi në përzgjedhjen e repertorit dhe mënyra e shprehjes.

Ansambli Kombëtar mbetet një pasaportë artistike e vendit, ku trashëgimia ndërthuret me risinë dhe tradita përshtatet me kërkesat e kohës.

Sipas Marsit, qëllimi është gjithmonë ndërtimi i shfaqjeve të denja e të frymëzuara, që mbajnë gjallë identitetin kulturor.

Mjeshtri ndau përvojat e shumta të ansamblit brenda dhe jashtë kufijve, ku është mirëpritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm, sidomos në Kosovë.

Për Marsin, publiku përqafon atë që i ofrohet, ndaj krijuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre artistike.

Duke iu referuar ndryshimeve muzikore, ai nënvizoi se muzika lëviz në trajta të ndryshme në gjithë botën, por rrënjët kombëtare duhen ruajtur. Në skenën shqiptare, ai vuri theksin te nevoja për t’u kthyer te tradita.

Në fund, mjeshtri përmendi përgatitjet për shfaqjen ‘Vjeshta e Artë’, që do të rikthehet pas shumë vitesh, si dhe faktin që viti 2026 do të jetë i dedikuar mjeshtrit Tish Daija një nderim për figurën e tij dhe për vlerat e artit shqiptar që ai përfaqësoi.