Tiranë/ Akuzohet se përdorte taksinë për të furnizuar grupet kriminale me armë, ish ushtaraku i arrestuar dhe më parë

Altin Celami 46 vjeç është vënë në pranga nga policia e Tiranës pas një operacioni të koduar ‘Gun Expert’. 46-vjeçari akuzohet për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve. Në momentin e arrestimit atij iu gjetën 4 pistoleta të cilat dyshohet se do t’ja shiste grupeve kriminale. Celami për të humbur gjurmët dhe shmangur kontrollet e policisë përdorte një mjet taksi. Ai është arrestuar dhe në vitin 2022 për të njëjtën vepër penale pasi dyshohet se i shiste armë grupeve kriminale

Nga SYRI TV

Një ish-ushtarak që dyshohet se i shiste armë grupeve kriminale është vënë në pranga nga policia.

Altin Celami, 46 vjeç është arrestuar në kuadër të operacionit ‘Gun Expert’ të zhvilluar nga komisariati numër 4.

Në lajmërimin e saj policia thotë se Altin Celami për të shmanguar kontrollet e policisë dhe për të humbur gjurmët përdorte një mjet tip taksi për të kryer aktivitetin e tij të paligjshëm.

Gjatë kontrollit fizik të tij dhe në banesë atij iu gjetën 4 armë zjarri tip pistoletë një sasi lënde narkotike kokainë dhe disa pjesë armësh.

Blutë dyshojnë se armët do t’i shiteshin grupeve kriminale ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që kanë bashkëpunuar me 46-vjeçarin. Altin Celami do të dalë para gjykatës së Tiranës për akuzat e ‘Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ dhe ‘Prodhimi dhe Shitja e Narkotikeve’.

Altin Celami është arrestuar nga policia e Tiranës për të njëjtën vepër penale edhe në vitin 2022 pasi furnizonte me armë grupe të ndryshme kriminale.

Është ende e paqartë sesi është liruar nga burgu 46-vjeçari ndërkohë që kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu. Më herët Altin Celami ka punuar si pjesë e forcave të armatosura në repartin ushtarak të Pezë Helmësit.