Meta mbështet thirrjen e Presidentit Trump për Orban: Shembull frymëzimi për mbrojtjen e familjes dhe kombit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me takimin mes presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Në një reagim në Facebook, Meta shprehu mbështetje të plotë për qëndrimin e Presidentit Trump, duke vlerësuar rolin e Orban si një model për mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe tradicionale.

‘E vlerësoj dhe e mbështes plotësisht thirrjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump për të treguar respekt ndaj liderit të Hungarisë, Viktor Orban. Një zë i fortë në mbrojtje të sovranitetit, identitetit kombëtar dhe vlerave tradicionale shoqërore, Orban përfaqëson një shembull frymëzimi të jashtëzakonshëm, për vendin e tij dhe mbarë kontinentin, por edhe për popullin tonë për qëndrimin e prerë në mbrojtje të vlerave të familjes, veçanërisht me miratimin e ligjit të propozuar prej tij në parlamentarin hungarez, në prill të këtij viti, ku njihen vetëm dy gjini dhe figura e shenjtë e nënës dhe babait,’ deklaroi Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë theksoi se edhe Shqipëria duhet të ndjekë këtë shembull për të mbrojtur themelet e shoqërisë.

‘Ashtu si ai, edhe ne duhet të jemi të vendosur për të mbrojtur themelet e shoqërisë tonë. Ligj Anti-Familje i votuar nga Rama dhe kukullat e tij në Kuvendin e Shqipërisë përbën një sulm të hapur ndaj familjes dhe kombit tonë,’ vijon Meta.

Në përfundim, Meta u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tradicionale.

‘Më shumë se kurrë, është detyra jonë të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta dhe të shenjta, të familjes dhe kombit, kundër një ideologjie që synon t’i shkatërrojë ato,’ shkruan President i PL-së Ilir Meta në Facebook.