SYRI TV/ 'Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni'

Në Shkodër u promovua libri “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni”, një studim 12-vjeçar i drejtorit të muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni. Ai sjell figurën e Marubit jo vetëm si fotograf, por edhe si piktor e arkitekt, duke e cilësuar si artistin e parë me arsimim në arte të Rilindjes Kombëtare.

Nga SYRI TV

Në qytetin e Shkodrës u promovua libri “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni”, një botim i autorit dhe drejtorit të Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni.

Në fjalën e tij, Bedeni theksoi se Marubbi erdhi në Shkodër në tetor të vitit 1858 fillimisht si piktor dhe arkitekt, përpara se të njihej si fotograf.

Ai e cilësoi Marubin si të vetmen figurë të Rilindjes Kombëtare me arsimim të plotë në arte duke zbuluar se për përgatitjen e këtij studimi i janë dashur 12 vite kërkime në 17 arkiva të ndryshme.

Pietro Marubbi ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.