VIDEO/ Tensioni në fundin e ndeshjes Vllaznia-Dinamo, ndërhyn policia në tribuna
Momente tensioni shpërthyen në minutën e 88-të të sfidës mes Vllaznisë dhe Dinamos, e vlefshme për javën e 11-të të Abisnet Superiore. Gjyqtari Andi Koçi u detyrua të nxjerrë kartonin e kuq për dy protagonistë jashtë fushës: drejtorin sportiv të shkodranëve, Vioresin Sinani, dhe ndihmëstrajnerin e Dinamos, Glen Daja.
Përplasja verbale mes pankinave solli një situatë të ndezur, që detyroi ndërhyrjen e policisë në tribunën e “Loro Boriçit”, për të shmangur përshkallëzimin e incidenteve me tifozët. Atmosfera elektrizuese, e cila kishte mbizotëruar gjatë gjithë ndeshjes, u kthye në momente tensioni në fundin e takimit.
Në fushë, Vllaznia mbante avantazhin 1-0, falë golit të shënuar në pjesën e parë nga sulmuesi Bekim Balaj. Rezultati i ngushtë e bëri ndeshjen edhe më të luftuar, ndërsa çdo episod ndezte më tej rivalitetin mes dy skuadrave.
Pavarësisht tensioneve, kuqeblutë arritën ta mbanin rezultatin deri në fund, duke siguruar tri pikë të vlefshme për qëndrimin në krye të renditjes.