Shëndetësi, Rama ‘premton’ sot vetëm lojëra fjalësh, në realitet varfëri më të thellë

Nga Tritan Shehu

Shëndetësi, Rama ‘premton’ sot vetëm lojëra fjalësh, në realitet varfëri më të thellë.

Duke kujtuar se njerëzit nuk dinë të llogarisin, mburet kur thotë se:

buxheti i shëndetësisë për vitin 2026 do të jetë 1 miliard euro, por më tej, me gjysmë zëri pëshpërit, si për të mos u dëgjuar...

Kjo me gjithë pjesën e mbrojtjes sociale, që mbulon Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Atëherë, nga llogaritjet del se vlera 1 miliardë euro kap rreth 3,8% të GDP për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Ndarja midis këtyre dy sektorëve është rreth 57% e kësaj shume për shëndetësinë dhe 43% për pjesën sociale.

Që në fakt është vetëm 2,2% e GDP për shëndetësinë, duke shkuar nën shifrat e vitit 2025, me gjithë PPP brenda.

E përfaqësuar kështu, përsëri buxheti për shëndetësinë mbetet më i varfri në kontinentin europian.

Edhe brenda kësaj shifre, Rama nuk sqaron nëse përfshihen edhe kontributet direkte prej rreth 0,8% të GDP.

Shpresoj të mos përfshihen, sepse nuk bëjnë pjesë në buxhetin e shtetit, por…

Nëse përfshihen, buxheti mbetet vetëm 1,4% e GDP, që do të thotë varfëri afrikane.

Sipas OBSH, buxheti vetëm i shëndetësisë për vendet me nivel ekonomik si Shqipëria duhet të jetë jo nën 4% të GDP.

Ndërsa ne jemi dhe mbetemi në nivele shumë më të ulëta, pra në nivele varfërie të thellë në financimin e shëndetësisë… dhe Rama mburet!

Por këto janë shifrat, ku jo vetëm nuk ka vend për mburrje, por ka vetëm për të ulur kokën me turp dhe për të pranuar dështimin.

Sepse shifrat janë kokëforta, objektive, dhe në këto përllogaritje vlerësimi bëhet mbi bazën e % të GDP.

Më keq nuk ka ku të shkojë: shëndetësia shkatërrohet, mjekët largohen, qytetarët vuajnë.