Nuhiu: U ndëshkuam në momentet më të mira, Tiranës i duhet më shumë forcë dhe qetësi

Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu, doli i zhgënjyer pas humbjes 0-2 ndaj Vorës në “Selman Stërmasi”, që ishte disfata e dytë radhazi pas asaj me Bylisin. Ai pranoi se skuadra e tij është në vështirësi, por mbetet e vendosur për t’u rikthyer.

“Nuk e prisja këtë fillim. Pashë një skuadër që po përpiqet të zbatojë atë që stërvitet, por u ndëshkuam në dy momentet tona më të mira. Na mungon qartësia në sulm, nuk finalizojmë. Kemi posedim, por gabimet individuale na kushtuan,” – u shpreh Nuhiu.

Trajneri foli edhe për ndryshimet taktike: “Në pjesën e dytë rrezikuam më shumë, me Tabekun si sulmues krahu dhe Dembele që mbyllte hapësirat e lëna nga Vera. Këto lëvizje kërkojnë kohë. Duhet më shumë forcë dhe prani në zonë për të rrezikuar kundërshtarin.”

Ai vlerësoi disa lojtarë: “Zhunior dhe Patsa dhanë kreativitet, Meta më bëri përshtypje me shpejtësinë, ndërsa Haxhiu u përshtat mirë në mbrojtje. Edhe Vogli është i rëndësishëm dhe do të ketë mundësi të tjera.”

Në fund, Nuhiu theksoi rëndësinë e pushimit të kombëtareve: “Na vjen në momentin e duhur për të analizuar, qetësuar dhe përmirësuar aspektin fizik. Duhet të jemi më kompaktë dhe me më shumë grintë në ndeshjet e ardhshme.”