Bellaj pas triumfit ndaj Tiranës: Çunave u them që nuk kam flokë, sepse ata janë pasqyrimi im
Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, u shfaq i lumtur pas fitores 2-0 ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”, duke vlerësuar maksimalisht paraqitjen e skuadrës së tij.
“Pjesën e parë e nisëm shumë mirë dhe realizuam gjithçka që kishim përgatitur. Në mbrojtje na dolën disa boshllëqe, por i korrigjuam me Kasallën dhe Barjamajn. Në pjesën e dytë menaxhuam avantazhin, mbajtëm topin dhe u përpoqëm me kundërsulme. Nuk shënuam më, por e rëndësishme është që nuk pësuam,” – tha Bellaj.
Trajneri shtoi me humor: “U them futbollistëve se nuk kam flokë, dhe kur shoh veten në pasqyrë, shoh ata, sepse janë pasqyrimi im. Ajo që lëmë në fushë, është fytyra jonë e vërtetë.”
Sa i përket analizës taktike, Bellaj theksoi: “E dinim si luanin në mbrojtje dhe u përpoqëm t’i shtynim të luanin me topa të gjatë, sepse Repaj e Shehi janë të fortë në ajër. Kështu fituam shumë duele në gjysmëfushën e tyre.”
Ai pranoi se skuadra është e lodhur nga ngjeshja e kalendarit, por përgëzoi lojtarët për përkushtimin. “Ajodelen e përgëzoj, po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje,” – shtoi ai.
Në fund, Bellaj vlerësoi fitoren para pushimit të kombëtareve: “Është perfekte për moralin. Këto dy javë do të na ndihmojnë të rikuperohemi dhe të përgatitemi për sfidën ndaj Teutës.”