Vora trondit Tiranën në ‘Selman Stërmasi’! Bardheblutë dorëzohen në shtëpi përballë skuadrës së Bellait
Tirana pëson një tjetër humbje zhgënjyese në kampionat, teksa është mposhtur me rezultatin 0-2 nga Vora, në sfidën e javës së 11-të të Kategorisë Superiore, zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Skuadra mike e drejtuar nga trajneri Klodian Bellai zhvilloi një pjesë të parë perfekte, duke siguruar që në 45 minutat e para tri pikët e vlefshme. Bardhi zhbllokoi rezultatin në minutën e 12-të, ndërsa Kasalla dyfishoi avantazhin në të 33-tën, duke vulosur fatin e takimit.
Në pjesën e dytë, Tirana kërkoi reagimin, por pa rezultat, pasi mungesa e qartësisë dhe efikasitetit përpara portës i kushtoi shtrenjtë bardhebluve, të cilët nuk ia dolën të rikthehen në lojë.
Pas kësaj humbjeje, Tirana mbetet në vendin e fundit me vetëm 6 pikë, duke thelluar krizën e rezultateve. Ndërkohë, Vora, me këtë fitore të rëndësishme në transfertë, ngjitet në vendin e gjashtë me 14 pikë të grumbulluara, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon në këtë fazë të kampionatit.