SYRI TV/ Lumi Gjanica ‘mbytet’ nga ndotja, qytetarët akuzojnë shtetin për neglizhencë

Lumi Gjanica ka marrë nuancën kafe, ndërsa ndotja mund të kthehet në  një burim rreziku për shëndetin e qytetarëve. Ata akuzojnë institucionet për neglizhencë e mosndërhyrje për rehabilitimin e Gjanicës. Qytetarët kërkojnë që shteti të mos mbylli më sytë, por të ndërhyjnë me kontrolle, gjoba dhe ndëshkime konkrete ndaj ndotësve.

Syri TV

Lumi Gjanica është sërish i ndotur. Ngjyra e tij ka marrë nuancën kafe të errët, ndërsa në sipërfaqe formohet një shtresë e hollë vajore, që lëshon një erë të rëndë, të ngjashme me atë të vezës së prishur. Fenomeni përsëritet çdo vit, sidomos me nisjen e shirave të vjeshtës dhe sezonin e përpunimit të ullirit.

Banorët shprehen të indinjuar. Ata thonë se tashmë dihet mirë kush janë ndotësit e lumit, por autoritetet lokale, përfshirë Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, nuk po ndërhyjnë siç duhet.

“Ne e dimë kush e ndot lumin, edhe ata e dinë, por askush nuk vepron”, thonë qytetarët, të cilët kërkojnë marrjen e menjëhershme të masave.

Fenomeni është kthyer pothuajse në një ngjarje të përjavshme. Qytetarët thonë se, Gjanica rrezikon të humbasë plotësisht aftësinë e vetëpastrimit dhe të kthehet në një burim rreziku për shëndetin publik. Ata

kërkojnë që institucionet të mos mbyllin më sytë, por të ndërhyjnë me kontrolle, gjoba dhe ndëshkime konkrete ndaj ndotësve, për të shpëtuar lumin që dikur ishte simbol i jetës, e sot po mbytet nga ndotja.

Përgjatë shtratit të lumit, nga Panahori i Mallakastrës e deri në qytetin e Fierit, ndodhen rreth 10 fabrika të përpunimit të vajit të ullirit dhe dy degantime të naftës bruto. Pikërisht këto konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes, që po e kthejnë Gjanicën në një rrjedhë mbetjesh industriale.