Shefi hebre i zjarrfikësve jep dorëheqjen pas fitores së Mamdanit
Shefi hebre i zjarrfikësve të Nju Jorkut, Robert Tucker, ka dhënë dorëheqjen pas fitores së Zohran Mamdanit.
Në letrën drejtuar kryebashkiakut aktual Eric Adams, Tucker njoftoi se do të largohet me 19 dhjetor dhe se do të sigurojë një tranzicion të rregullt. Burime për Bloomberg thanë se Tucker, i cili është hebre dhe sionist, nuk e shihte të mundur të shërbente nën drejtimin e Mamdanit, për shkak të qëndrimeve të këtij të fundit kundër Izraelit që kanë shqetësuar shumë hebrenj në qytet.
Gjatë fushatës, Mamdani, një socialist pro-palestinez, u kritikua për refuzimin e tij fillestar për të dënuar sloganin "globalizo intifadën". Edhe pse më vonë tha se do ta "shkurajonte" përdorimin e tij, deklaratat e tjera e thelluan mosbesimin e komunitetit hebre. Ai pranoi të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, por jo si shtet hebre, dhe premtoi se do të arrestonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ky do të shkelte në territorin e Nju Jorkut.
Jonathan Greenblatt, drejtori ekzekutiv i Ligës Kundër Shpifjeve (ADL), e quajti të njollosur historikun e Mamdanit për çështje që prekin komunitetin hebre dhe e ftoi atë të tregojë qartë se është kundër antisemitizmit.
Pas dorëheqjes së Tucker-it, Mamdani tha se "merr shumë seriozisht çështjen e antisemitizmit" dhe se do të punojë me udhëheqës hebrenj në të gjithë qytetin. Por komentet e tij nuk arritën të qetësonin shqetësimet në komunitetin hebre të Nju Jorkut, shumica dërrmuese e të cilëve mbështetën kundërshtarin e tij, Andrew Cuomo.
Dorëheqja e Tucker-it është parë si një sinjal i hershëm i tensioneve që mund të shoqërojnë administratën e parë myslimane në historinë e qytetit të Nju Jorkut.