EMRI/ Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar 33-vjeçari i dënuar për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje

Si rezultat i bashkëpunimit  ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Mançester në Mbretërinë e Bashkuar, është finalizuar ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Mikel Hoxha, 33 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Durrës në vitin 2021 e kishte dënuar me 5 (pesë) vjet burgim për veprat penale: “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ngjarja për të cilën u dënua

Sipas dosjes hetimore, më 6 qershor 2018, në qytetin e Gramshit, pas një debati të çastit për motive të dobëta, Mikel Hoxha ka plagosur me armë zjarri në kofshë shtetasin A. H., duke i shkaktuar lëndime serioze.

Pas ngjarjes, ai ishte larguar nga vendi dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të bashkëpunimit policor ndërkombëtar, Interpol Tirana dhe Interpol Mançester bënë të mundur arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.