Protestuesit pro-palestinezë ndërpresin koncertin e Filarmonisë së Izraelit në Paris
Një koncert i Orkestrës Filarmonike të Izraelit në Paris u ndërpre mbrëmjen e djeshme nga një grup aktivistësh pro-palestinezë, të cilët ndezën alarme dhe flakëtarë brenda sallës së koncertit, duke shkaktuar panik dhe evakuim të përkohshëm të publikut.
Sipas autoriteteve franceze, incidenti ndodhi pak minuta pas fillimit të performancës, ndërsa muzikantët u detyruan të zbrisnin nga skena për arsye sigurie. Policia arrestoi katër persona të përfshirë në ndërhyrje.
Qeveria franceze e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar atë si një akt antisemit dhe “sulm ndaj lirisë së shprehjes kulturore”.
Aktivistët kishin bërë më herët thirrje për anulimin e koncertit, duke e quajtur atë një formë të “zbardhjes kulturore” të politikave të qeverisë izraelite ndaj palestinezëve.
Ngjarja ka ndezur debat në Francë mbi kufirin midis protestës politike dhe lirisë artistike.