‘Përshëndeti nënën e doli jashtë’, detaje të reja nga vrasja e bujshme në Kosovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka depozituar në Gjykatën Themelore kërkesë për caktimin e paraburgimit 30-ditor ndaj A.I., i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 6 nëntor në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se A. I., rreth orës 11:25, ka vrarë dy persona, D. M., dhe N. M., të dy banorë të fshatit Golluboc.
I dyshuari është dhëndër i familjes së viktimave dhe kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të marrë bashkëshorten e tij, I.M., dhe fëmijët, të cilët ndodheshin aty për ceremoninë e varrimit të babait të saj.
Gjatë largimit nga shtëpia, sipas prokurorisë, ka shpërthyer një debat mes A.I.-së dhe vëllezërve të gruas së tij. Më pas, i dyshuari ka nxjerrë një armë pistoletë të llojit TT dhe ka shtënë disa herë ndaj D. M., dhe N. M., duke i lënë të dy të vdekur në vend, raporton Insajderi.
‘Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 minuta, në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, me dashje ka vrarë tani të ndjerët D. M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc-Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D. M., dhe N. M., shkon në vendin e cekur më lart, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marrë bashkëshorten I. M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe të ndjerët tashmë D. M., dhe N. M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre’, njofton Prokuroria.
Sipas të njëjtit njoftim, gjatë përshëndetjes me nënën e saj, dëshmitarja I. M., ka vërejtur se bashkëshorti i saj ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të vëllezërve të saj, duke i lënë të vdekur në vend.
I dyshuari më pas ka hedhur armën dhe është larguar. Viktimat janë dërguar në QKMF Kijevë pa shenja jete, ndërsa i dyshuari është arrestuar të nesërmen.
Prokuroria e ngarkon A. I., në me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Aktualisht, i dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh, në pritje të vendimit të gjykatës për paraburgimin.