Fituesi i Çmimit Nobel për Mjekësi James Watson, ndërron jetë në moshën 97 vjeçare
James Dewey Watson, një biolog, gjenetist dhe biokimist amerikan, i cili mori Çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1962 për zbulimet e tij në lidhje me strukturën e ADN-së, ka ndërruar jetë në moshën 97 vjeçare.
Më 21 shkurt 1953, së bashku me biokimistin Francis Crick, ai krijoi modelin tredimensional të spirales së dyfishtë të molekulës së ADN-së dhe ndërtoi një model prej teli dhe kartoni që bëri histori: ishte përfaqësimi i parë dhe një nga zbulimet kryesore në biologjinë e shekullit të njëzetë.
Watson ndoqi Universitetin e Çikagos në moshën 15 vjeç, fillimisht duke pasur si qëllim të bëhej ornitolog. Pasi lexoi librin e Erwin Schrödinger me leksione publike të mbledhura mbi kiminë dhe fizikën e mënyrës së funksionimit të qelizave, ‘Çfarë është jeta? ‘, ai filloi të interesohej më shumë se nga çfarë përbëhen gjenet - pyetja më e madhe në biologji në atë kohë.
Watson përfundoi doktoraturën në zoologji në Universitetin e Indianës në vitin 1950, e më pas kaloi një vit në Kopenhagen duke studiuar viruset. Në 1951 takoi biofizikantin Maurice Wilkins në një konferencë.
Gjatë fjalimit të Wilkins mbi strukturën molekulare të ADN-së, Watson pa fotografi paraprake me rreze X të ADN-së. Kjo e shtyu atë të ndiqte Wilkins në Laboratorin Cavendish në Universitetin e Kembrixhit për të vazhduar punën për zbulimin e strukturës së ADN-së.