VIDEO/ Bardhi publikon dëshminë e Pacollit: Balluku largoi aeroportin e Mynihut dhe futi në lojë turqit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar sot një intervistë të biznesmenit të njohur kosovar Behgjet Pacolli, në të cilën zbardhen prapaskenat e koncesionit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Sipas Bardhit, dëshmia e Pacollit konfirmon se procedura e tenderit për këtë projekt strategjik nuk ka qenë transparente, por një ‘garë e paracaktuar’, e drejtuar nga qeveria e Edi Ramës dhe e menaxhuar nga ministrja Belinda Balluku.

Në intervistën e tij publike, Pacolli ka rrëfyer se kishte arritur më parë një marrëveshje me Aeroportin e Mynihut për të marrë pjesë në garë, por më pas ministrja Balluku futi në lojë kompaninë turke që sot është pjesë e koncesionit. Ai tregon se përpara shpalljes së fituesit, Balluku kishte thirrur në takim përfaqësuesit e kompanisë turke, ku ishin ndarë paraprakisht përqindjet e pjesëmarrjes në projekt.

 ‘Dëshmia e biznesmenit Behgjet Pacolli provon se nuk ka garë, shteti përdoret si fasadë për pazaret ‘gjeostrategjike’ të Edi Ramës dhe se Belinda Balluku ka firmosur me vetëdije për këtë paligjshmëri gjigante’, deklaron Bardhi.

Më poshtë reagimi i plotë i Gazment Bardhi dhe dëshminë e Behxhet Pacollit:

Dëshmia e biznesmenit Behgjet Pacolli provon se nuk ka garë, shteti përdoret si fasadë për pazaret ‘gjeostragjike’ të Edi Ramës dhe se Belinda Balluku ka firmosur me vetëdije për këtë paligjshmëri gjigande.

Nga dëshmia provohet përtej çdo dyshimi se koncesioni për Aeroportin e Vlorës është një skemë korruptive e dirigjuar nga Edi Rama dhe e menaxhuar nga Belinda Balluku.

Dëgjojeni dëshminë!

Në zyrën e Belinda Ballukut përcaktohet sa përqind do të jetë secili aksioner përpara se të hapet gara formalisht dhe se shqetësimi i saj është të kënaqë partnerin turk në koncesion. Pse? Arsyet do t’i tregojë patjetër gjatë hetimit në SPAK.

Dëshmia e Behgjet Pacollit përbën një të dhënë unike për SPAK dhe një detyrim për t’u administruar si provë menjëherë për të kuptuar se koka e korrupsionit akoma nuk është vendosur nën hetim. Ose të paktën ne nuk kemi njoftim për këtë.

Afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës ka nevojë të hetohet me shpejtësi, pa ndikim politik dhe me profesionalizëm. Këtu nuk është në diskutim vetëm rrënimi i shtetit shqiptar nga korrupsioni. Është në diskutim shkelja e çdo kontrate me Bashkimin Europian. Është shkelur jo vetëm ligji i prokurimeve dhe Kushtetuta, por edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Ky po që është një regres i paprecedentë!

P.S. Dëshmia e Behgjet Pacollit na zbardhi dhe arsyet e dhuratës aq urgjente të spitalit të Fierit. Asnjë dhuratë. Vetëm korrupsion!