SYRI TV/ Zhduket pa gjurmë 66-vjeçari Agron Çumani, familjarët: Shkoi të merrte përgjigjen e analizave

Një 66-vjeçar është zhdukur pa gjurmë në Përmet, ndërsa familja dhe qytetarët shprehin alarmin. Afërsisht në të njëjtin vend kanë humbur kontaktet edhe 3 persona të tjerë në të shkuarën, ndërsa në qytet përflitet mungesa e një hetimi të thelluar deri te teoritë konspirative që dikush mund të ketë gisht. Familjarët folën për Syri Televizion për rrethanat e zhdukjes së Agron Çumanit.

SYRI TV

Agron Çumani, 66 vjeç, ka humbur çdo kontakt me familjen e tij që jeton në Përmet, teksa ngjarja ka ngritur alarmin në këtë zonë për shkak se historia brenda pak vitesh përsëritet në 4 episode të ndryshme në mënyrë të ngjashme. Çumani është parë për herë të fundit para 3 ditësh në segmentin e vjetër të rrugës Përmet-Leshicë dhe prej atëherë asgjë nuk dihet për fatin e tij.

Familjarët kanë bërë kallëzim të enjten në komisariatin e Përmetit, teksa bashkëshortja e tij ka pohuar për Syri Televizion se kohët e fundit 66-vjeçari kishte probleme me kujtesën. Rruga në fshatin Leshicë të çon afër lumit të Vjosës, ku nuk përjashtohet mundësia që Çumani mund të jetë mbytur. Nga ana e policisë kanë nisur kërkimet anës lumit, edhe me qen policie për të gjurmuar lëvizjet, por deri tani pa rezultat.

“Burri ka pasur pak probleme me kujtesën, nuk ka shfaqur shqetësime, prej një viti ka dalë në pension. Doli për të marrë përgjigjen e analizave dhe nuk u kthye më, laboratorin e kishim pas shtëpisë ku banojmë në qytetin e Përmetit. U zhduk, ne po kërkojmë të gjithë si familjarë, u zhduk në orën 10:40 para 4 ditësh. Dy ngjarjet e tjera kanë ndodhur shumë larg prej aty, nuk është i njëjti vend. Nuk kishte telefon me vete.” – u shpreh gruaja e tij.

Bashkia e Përmetit ndau një njoftim në rrjetet sociale, ku shprehet se Agroni është parë për herë të fundit të martën në orën 17:00 në afërsi të fshatit Gjinkar. Afërsisht në të njëjtën zonë, dy persona të tjerë, Niko Dhimitri dhe Filip Kristidhi, kanë humbur kontaktet prej dy vitesh, pa u gjetur asnjë gjurmë. Kjo situatë ka ngritur shumë pyetje te banorët e zonës se përse nuk po kryhen hetime të thelluara në këtë vend, deri te konspiracioni se ndonjë person me probleme të shëndetit mendor mund të ketë përfshirje në këto episode.