SYRI TV/ Berisha: Parlamenti u asgjësua, opozita pa të drejta
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se bllokimit që Edi Rama dhe mazhoranca i kanë bërë opozitës në Kuvend, do t’i kundërpërgjigjen me ngritjen e një platforme të Parlamentit para Kryeministrisë, ku do të flasin deputetë e qytetarë. Bashkë me këtë reagim, Berisha njoftoi edhe thirrjen e protestës kombëtare për t’iu kundërvënë narkoqeverisë dhe vjedhjeve të taksave të shqiptarëve. Duke u ndalur te ligji për gjininë e shumëfishtë, kryedemokrati e cilësoi si shkatërrimtar për familjen, ndërsa paralajmëroi se opozita do të konsiderojë edhe referendumin për kundërshtimin e këtij ligji.
Syri TV
Një ditë pasi mazhoranca kaloi me votat e saj në Kuvend projektligjin për barazinë gjinore, duke shmangur debatin në seancë, lideri i opozitës, Sali Berisha, paralajmëroi si kundërpërgjigje një platformë parlamentare para Kryeministrisë, ku do të flasin deputetët dhe qytetarët. Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se opozita nuk mund të heshtë, kur në 9 seancat e fundit parlamentare i janë mohuar të gjitha të drejtat kushtetuese në Kuvend.
Berisha bëri të qartë se nuk do të ketë bojkot të Parlamentit, teksa paralelisht paralajmëroi se shumë shpejt do të mbahet edhe protesta e parë kombëtare e opozitës, ndërsa tha se shqiptarët do të ecin të sigurt drejt qeverisë teknike.
Berisha tha se ligji i miratuar nga socialistët në Kuvend synon njohjen e gjinisë së shumfishtë, teksa thekson se një akt i tillë u mor pikërisht ditën kur Gjykata Supreme e SHBA sanksionoi 2 gjini. Ai u zotua se PD do të bëjë gjithçka për anulimin e ligjit, duke rikonsideruar edhe referendumin.
Teksa socialistët kërkojnë përjashtimin e tij për 30 ditë nga punimet e Kuvendit, për shkak të debateve në seancën e së enjtes, Berisha tha se qëndrimi i tij do të jetë pikërisht platforma para zyrës së kreut të qeverisë, ndërsa theksoi se opozita do të krijojë hapësirën e saj mediatike.
Në një koment, kryedemokrati bëri edhe për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në 5 bashki të vendit.