Rama çon të akuzuarën për hajdute të festojë arritjet energjitike të Athinës, projektet që Shqipëria i humbi nga korrupsioni

Në Athinë, SHBA dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje historike që e kthen Greqinë në qendër energjetike të rajonit.

Exxon Mobil do të nisë kërkimet për gaz në ujërat greke, në prani të Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe Sekretarit amerikan të Energjisë, Chris Wright. Në të njëjtën ceremoni ndodhej edhe zëvendëskryeministrja shqiptare Belinda Balluku — numri 2 i qeverisë Rama, e akuzuar për korrupsion dhe e pandehur nga SPAK për aferat me tenderat publikë.

Ironikisht, ajo përfaqësonte një qeveri që prej vitesh ka humbur çdo projekt strategjik energjetik me SHBA-në, pikërisht për shkak të korrupsionit dhe mungesës së besueshmërisë.

Në vitin 2021, Balluku firmoste me Exxon Mobil dhe Excelerate Energy një marrëveshje që Rama e quajti “fillimi i epokës së artë të gazit për Shqipërinë”. Sipas planit, TEC-i i Vlorës do të shndërrohej në një nyjë rajonale për gazin amerikan dhe Vlora do të bëhej “port energjetik i Ballkanit”. Tre vite më vonë, asgjë nuk ka ndodhur: TEC-i nuk punon, terminali nuk ekziston dhe asnjë metër kub gaz nuk ka hyrë në vend. Shqipëria është zhdukur nga harta e projekteve amerikane që sot po udhëhiqen nga Greqia.

Në të njëjtën kohë që Mitsotakis njofton me krenari se “Greqia është porta hyrëse e gazit amerikan në Europë”, Tirana feston në heshtje dështimin e vet. Ndërsa Athina siguron investime, qeveria Rama dërgon në ceremoni një zyrtare të akuzuar për korrupsion, si simbol i një pushteti që ka shkatërruar besimin ndërkombëtar në Shqipëri.

Në mars të vitit 2021, Rama deklaronte përpara drejtuesve të Exxon Mobil:
“Sot për Shqipërinë nis epoka e artë e gazit. Nuk do të ishte e mundur pa ambasadoren Yuri Kim.” Ndërsa Balluku shtonte me pompozitet: “Kjo është një marrëveshje historike që do ta bëjë Vlorën port rajonal të gazit.”

Tre vite më pas, “epoka e artë” është kthyer në epokën e hetimeve. SPAK ka marrë nën hetim disa nga vartësit e saj, dhe vetë Balluku është e pandehur për abuzime me fondet publike në tenderin e tunelit të Llogarasë. Në vend që të përballet me drejtësinë, ajo pozon në Athinë, në një ceremoni ku Greqia dhe SHBA nënshkruajnë marrëveshje për ato projekte që Shqipëria i humbi — jo për mungesë mundësie, por për shkak të korrupsionit të qeverisë Rama.

Në fund, tabloja është e qartë: ndërsa Greqia bëhet “hub” energjetik i rajonit, Shqipëria mbetet jashtë loje. Korrupsioni që ka mbërthyer pushtetin shqiptar ka larguar investitorët seriozë dhe ka shkatërruar çdo mundësi për zhvillim strategjik.

Në vend të transparencës, Tirana ofron fasadë; në vend të rezultateve, foto me zyrtarë të huaj.
Por as fotot, as propaganda nuk mund ta fshehin të vërtetën: Shqipëria është përjashtuar nga projektet amerikane të energjisë, sepse ka një qeveri të korruptuar dhe një zëvendëskryeministre të akuzuar që përfaqëson më shumë dështimin se zhvillimin.