'Histeria rilindase', Shehu: Rilindja rikthen Nenit 55 për të sulmuar Berishën dhe opozitën
Në një postim në rrjete sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, foli mbi një sulm të mëtejshëm ndaj opozitës dhe, në veçanti, ndaj deklaratës së liderit të PD-së, Sali Berisha, duke theksuar se kjo është një përpjekje për të cënua lirinë e shprehjes dhe vlerat themelore të shoqërisë shqiptare.
Ai theksoi se, si dikur Neni 55 i Agjitacionit dhe Propagandës, edhe tani përdoren instrumente të ngjashme për të sulmuar opozitën dhe për të mbuluar aktet e dëmshme të qeverisë, si ligjin për “Barazinë Gjinore”, që Shehu e konsideron si një atentat ndaj vlerave biologjike dhe natyrore të shoqërisë.
Deputeti i PD-së e cilësoi këtë si një taktike të njohur të rregjimit komunist, ku, në vend të debateve të shëndetshme, përdoren kërcënime dhe manipulime për të shuar çdo zë kritik. Ai kërkoi që para se të flisnin për liderët e opozitës, ata që bëjnë sulme të tilla të kishin biseduar direkt me ta, duke e konsideruar këtë si një akt më racional dhe të nevojshëm.
Postimi:
Neni 55 i Agjitacionit dhe Propagandës u vu në veprim mbrëmë.
Histeria rilindase kundër një deklarate të ekuilibruar, jashtë sallës së Kuvendit, në një takim me gazetarët e Berishës, është konkretizim i reminishencave komuniste.
Një deklaratë e Berishës në mbrojtje të vlerave të shoqërisë, familjes, në kundërshtim me çdo diskriminim, dhe në mbështetje të asaj që aspirojnë shqiptarët.
Një deklaratë që, si dikur me Nenin 55, mund të çonte në burgosje, internim dhe pushkatim, me dy dëshmitarë të rremë që falsifikonin ose transformonin fjalët e tua.
Siç po ndodh këto ditë.
Në fakt, Neni 55 tashmë është ringjallur mbrëmë me Nenin 3, pika 3, të atij ligji famëkeq të "Barazisë Gjinore", të miratuar me votat e Rilindjes.
Dhe ai po përdoret.
Po përdoret kjo zhurmë si një “stuhi në gotë”, jo vetëm për të goditur Berishën…
Por dhe për të mjegulluar atë ligj të mbrapshtë që kjo mazhorancë miratoi mbrëmë.
Për të fshehur atentatin e rrezikshëm të tij ndaj jetës, familjes, shoqërisë, të vërtetës biologjike, asaj që i jep Zoti apo natyra njeriut.
Një taktike kjo e njohur që prej regjimit komunist.
E ndërthurur kjo dhe me një kompleksitet e servilizëm të pështirë rilindas, krejt jashtë kontekstit të fjalëve të Berishës.
Duke harruar se ne jemi deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhur nga shqiptarët, ku mbrojmë pa lëkundje atë që gjykojmë si të mirën e tyre.
Dhe qëndrimi ynë dhe i Berishës është pikërisht në këtë kontekst, pavarësisht "hetuesve" dhe dëshmitarëve transformues të Nenit 55.
Fatkeqësisht, Shqipëria ka pasur, por si duket, ka ende plot të tillë.
Ndërsa asaj zonje që foli mbrëmë nga Brukseli, me dashamirësi do t’i thoja:
Përpara se të bënit një prononcim të tillë publik për Kryetarin e opozitës, ish-Presidentin, ish-Kryeministrin, personifikimin e lëvizjeve demokratike e integruese të Shqipërisë, do të ishte më racionale të komunikonit më parë direkt me atë.