Gjini: Europa po kthehet në normalitet, vetëm Rama ndjek modat e rrezikshme ideologjike

Një ligj i ri për barazinë gjinore i miratuar së fundmi në parlamentin shqiptar ka ndezur një debat të gjerë publik, duke reflektuar diskutime të ngjashme që prej vitesh zhvillohen në Perëndim. Për të analizuar këtë çështje, kontekstin europian dhe implikimet e mundshme për shoqërinë shqiptare, Syri Televizion intervistoi aktivistin politik Jurgen Gjini, i cili jeton në Belgjikë.

Gjini, gjatë intervistës e cilësoi mbërritjen e këtij legjislacioni në Shqipëri si të parashikueshme, duke e përshkruar atë si pjesë të një 'tsunami-je' ideologjike që fillon në Amerikë, kalon në Europë dhe më pas arrin në Ballkan.

Sipas tij, ligji është pjesë e një axhende globale 'woke' të mbështetur nga figura si George Soros, duke theksuar se ishte vetëm çështje kohe para se të mbërrinte edhe në Shqipëri.

Duke bërë një krahasim me situatën në Bashkimin Europian, Gjini shpjegoi se ndonëse koncepte si gjuha neutrale gjinore janë diskutuar, ato nuk kanë arritur të depërtojnë thellësisht në jetën e përditshme apo në administratë. Ai përmendi se përpjekjet për të zëvendësuar termat tradicionalë si 'polic' apo 'police' me 'trupa policorë' kanë mbetur kryesisht në nivel direktivash pa zbatim praktik.

Gjini kritikoi ashpër zyrtarët e BE-së, si komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila e lidhi ligjin me procesin e integrimit, duke argumentuar se ata po fokusohen në çështje dytësore në vend që të adresojnë problemet reale të rajonit si korrupsioni, edukimi dhe zhvillimi ekonomik.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga aktivisti ishte ndikimi i mundshëm në shoqëri, veçanërisht te brezi i ri.

Ai paralajmëroi për rrezikun e 'indoktrinimit' të fëmijëve në shkolla dhe kopshte me këto ide, gjë që, sipas tij, ka shkaktuar reagime të forta nga prindërit në vende të tjera.

'Problemi nuk është vetëm barazimi gjinor, por si implementohet kjo në shoqëri,' tha ai, duke paralajmëruar për një 'anarki sociale' ku vetë-identifikimi subjektiv mund të minojë çdo normë, duke përdorur një shembull ironik ku dikush mund të vetëshpallej kryeministër dhe të kërkonte të trajtohej si i tillë. 

Pjesë nga deklarata:

"Në Bashkimin Europian, ligje të tilla për barazinë gjinore janë diskutuar prej vitesh, por në shumicën e vendeve nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha në jetën e përditshme.

Ky debat ka ardhur si një valë që nis në Amerikë, kalon në Europë dhe vjen më pas në vende si Shqipëria.

Për mua, ky ligj ka ardhur shumë vonë dhe është pjesë e një agjende të majtë globale, të sponsorizuar nga qarqe si ato të Sorosit.

Në BE ka pasur përpjekje për ta bërë gjuhën neutrale, por njerëzit në përditshmëri nuk e kanë pranuar këtë mënyrë të komunikimit.

Shumica vazhdojnë ta shohin normalisht dallimin mes burrit e gruas, edhe në administrata apo institucione. Edhe në sporte është parë që barazimi artificial ka sjellë më shumë konfuzion sesa rezultate pozitive.

Europa po kthehet drejt normalitetit, sepse ka probleme më të mëdha reale, si ekonomia dhe siguria.

Në Shqipëri, ndikimi i këtij ligji do të jetë minimal. Shoqëria jonë është familjare dhe e lidhur me traditën.

Në Europë janë bërë përpjekje që këto ide të futen në shkolla, madje edhe tek fëmijët e vegjël, gjë që ka shkaktuar reagime të forta nga prindërit. Askush nuk dëshiron që fëmijët të ndikohen në moshë të vogël nga ide të tilla për gjininë apo identitetin.

Lëvizja LGBT filloi me kërkesën për të drejta të barabarta, por tani është zgjeruar dhe brenda vetë komunitetit ka përçarje.

Disa duan të mbeten te identitetet bazike gej apo lesbike  ndërsa të tjerët kërkojnë të zgjerojnë konceptin e gjinisë.

Problemi është kur liria e një grupi kthehet në censurë për të tjerët. Sot, kush shpreh një mendim ndryshe quhet menjëherë homofob apo racist, dhe kjo nuk është e drejtë. Liria e fjalës duhet të vlejë për të gjithë.

Rasti i Berishës me ambasadorin e BE-së është shembull i kësaj. Berisha nuk e paragjykoi askënd, por kundërshtoi imponimin e një agjende mbi të tjerët. Kur përfaqësues ndërkombëtarë flasin për çështje personale, si orientimi i tyre, në kontekste politike, kjo tregon se po promovohet një axhendë e caktuar.

Në fund, mendoj se këto tema janë më shumë “çështje luksi”.

Shoqëritë që përballen me luftë, krizë ekonomike apo probleme reale, nuk i japin prioritet debateve të tilla. Në Shqipëri, ku njerëzit kanë halle bazike, këto ligje nuk do të kenë ndikim të vërtetë".