Noizy, 39 vjeç, shembulli më i keq i një modeli: Shtyn rininë drejt kumarit, i fton publikisht në kazino

Ka një moment kur një artist nuk është më vetëm artist, por bëhet një figurë që formon mendësi. Dhe në Shqipëri, fatkeqësisht, Noizy është kthyer në simbolin më të dëmshëm të këtij realiteti. Një 39-vjeçar që prej vitesh ushqen me tekste të mbushura me lekë, sherre dhe “fuqi rrugësh” një brez të tërë adoleshentësh që e shohin si mit. Dhe tani, pasi ka lodhur tregun me glorifikimin e dhunës dhe arrogancës, ka kaluar në fazën tjetër: nxitjen e kumarit.

Në një seri postimesh në Snapchat, Noizy shihet duke ftuar publikisht ndjekësit e tij, shumica të rinj, që të vijnë në Grand Casino Tirana, për ta parë “live” duke luajtur.

“Mrom kena kap fuqishem. Fati fillestarit. @grandcasino_tirana”, shkruan ai, me emoji si për të bërë gjithçka të duket “fun”. Në postim fton edhe Varrosin të luajnë sërish.