'Ligji për Barazinë Gjinore', Reagon ashpër Dom Vlash Palaj: Dje u votua kundër Zotit dhe natyrës!

Në rrjetet sociale, në një postim ditën e djeshme, famullitari i njohur i Shkodrës, Dom Vlash Palaj, ka shprehur një kundërshtim të ashpër ndaj ligjit të fundit "Për barazinë gjinore", duke e cilësuar atë si një sulm ndaj vlerave themelore të besimit dhe shoqërisë. Përmes një mesazhi të fuqishëm dhe të drejtpërdrejtë, ai ka theksuar se ky ligj është në kundërshtim me mësimet biblike dhe me natyrën njerëzore.

Dom Vlash Palaj citoi një varg nga Zanafillën (1, 27) për të argumentuar se, sipas fesë krishtere, Hyji e krijoi njeriun në përngjasimin e vet, duke e bërë atë mashkull dhe femër. Ai i bëri thirrje deputetëve të krishterë të kuptonin se ata që do të votojnë për ligjin e barazisë gjinore janë duke votuar kundër besimit të tyre, kundër natyrës, dhe kundër vlerave që kanë formuar shoqërinë dhe familjen.

Në një ton të ashpër, Dom Palaj theksoi se ky ligj është një kërcënim për themelet e civilizimit europian, duke theksuar se deputetët që përkrahin këtë nismë janë në kundërshtim me shumicën e atyre që përfaqësojnë dhe se ata po mbështesin ideologji që janë të huaja për traditat dhe identitetin shqiptar.

Postimi:

Dom Vlash Palaj: “Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër.” (Zanafilla 1, 27)

Le ta dijë mirë çdo deputet i krishterë se kush voton kundër këtij citimi biblik:
-voton kundër Zotit,
-kundër natyrës,
-kundër familjes,
-kundër Kishës,
-kundër prinderve të tij,
-kundër civilizimit të vërtetë që ndërtoi Europën,
-e padyshim kundër shumicës apsolute të atyre që perfaqson në parlament.

Zoti ua ndrit mendjen edhe atyre që mbeten skllever permanent të ideologjive!