Humbi kontaktet me familjarët, 66-vjeçari në Përmet dyshohet se është mbytur në lumin Vjosë

Një 66-vjeçar nga Përmeti është shpallur i zhdukur prej disa orësh, ndërsa policia ka nisur kërkimet përgjatë lumit Vjosë. Burime bëjnë me dije se familjarët e të moshuarit, Agron Çumani, kanë bërë kallëzim ditën e djeshme në komisariatin e Përmetit.

Sipas bashkëshortes së tij, Çumani kishte pasur kohët e fundit disa probleme me memorien, gjë që mund të ketë ndikuar në humbjen e kontaktit me familjarët.

Rruga që të çon në fshatin Leshicë kalon pranë lumit Vjosë, dhe dyshohet se 66-vjeçari mund të jetë rrëzuar aksidentalisht në ujë.

Forcat e Policisë së Përmetit kanë nisur kërkimet intensive përgjatë lumit, duke përdorur edhe qen policie për të gjurmuar gjurmët e të zhdukurit.

Deri më tani kërkimet nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa pritet të përdoret edhe një dron për të ndihmuar në operacionin përgjatë shtratit të lumit.