Stërvitje e Mbrojtjes Civile në Korçë për përballimin e fatkeqësive natyrore

Për dy ditë me radhë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka zhvilluar në Korçë një stërvitje të gjerë me pjesëmarrjen e strukturave vendore të rajonit të juglindjes. Aktiviteti synon forcimin e kapaciteteve të reagimit dhe menaxhimit në rast emergjencash civile, duke u fokusuar në një nga fatkeqësitë natyrore të evidentuara si rrezik kombëtar.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, gjatë fjalës së tij u shpreh se Korça është ndër qytetet më të përgatitura në vend për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, duke theksuar rëndësinë e koordinimit mes strukturave vendore dhe kombëtare.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si UNDP, me mbështetje financiare nga qeveritë suedeze, portugeze dhe së fundmi zvicerane, të cilat po kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve trajnuese, teknike dhe edukuese të sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri.

Duke iu referuar sezonit të kaluar, Çako kujtoi se vera e vitit 2025 ka qenë ndër më të vështirat për shkak të numrit të lartë të zjarreve që kanë përfshirë pyje, kullota dhe zona të banuara.

Në kuadër të përgatitjeve për vitin e ardhshëm, Drejtori Çako bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar rreth 1 miliard lekë fonde të kushtëzuara në nivel kombëtar për rritjen e kapaciteteve teknike dhe për investime që synojnë parandalimin e fatkeqësive natyrore.

Stërvitja në Korçë shënon një tjetër hap në përforcimin e rrjetit kombëtar të mbrojtjes civile dhe në ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e reagimit të koordinuar ndaj emergjencave.