Gjyqi ndaj Plauent Dervishaj/ Dëshmitari tregon momentin pas atentatit ndaj Andi Malokut: Pse se mbarove punën, do ta pres fytin
Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot ndaj të pandehurve Plauent Dervishaj dhe Julian Meçaj, prokurori i SPAK, Adnan Xholi, ka lexuar deklaratat e një dëshmitari okular që ishte i pranishëm gjatë atentatit të 1 nëntorit 2019, ku humbi jetën Andi Maloku. Dëshmitari, i cili nuk është prezent në gjyq pasi ka lënë territorin shqiptar, kishte dhënë një deklaratë para oficerit të policisë gjyqësore pas ngjarjes.
Sipas dëshmitarit, pas ndalimit të dy automjeteve, disa persona dolën dhe nisën një debat të ashpër. Njëri prej tyre, i cili mbante një thikë në dorë, i tha një tjetri: "Pse se mbarove punën, do ta pres fytin të ... robt".
Ky moment i tensionuar është një nga detajet që ndihmojnë hetuesit të krijojnë një pasqyrë më të qartë të ngjarjes. Prokurori Xholi lexoi gjithashtu dhe dëshminë e dhënë nga Aleksandër Laho, një tjetër i plagosur në atentat, ndërsa theksoi se "Rrumi", një person i shpallur në kërkim, nuk është gjetur ende për t'u thirrur si dëshmitar.
Pas ngjarjes, "Rrumi" kishte deklaruar se, para atentatit, kishte drekuar me prokurorin dhe Emver Shabën dhe kishte parë një vajzë me emrin Lusi, e cila ishte shfaqur në trotuar dhe më pas kishte hipur në një automjet me një zyrtar të hipotekës. “Para atentatit ishim për drekë me prokurorin dhe Emver Shabën e një shok të tij. Kur u nisëm kam parë një vajzë me emrin Lusi që e njihja në trotuar e cila shikonte nga ne dhe pastaj ajo hipi në një automjet me një zyrtar të hipotekës”- është shprehur ai
Mbrojtja e të pandehurve, ndërkohë, kërkoi thirrjen e shtetases Lusiena Kola si dëshmitare, duke ngritur dyshime se mund të kishte informacion të rëndësishëm lidhur me ngjarjen.
Në sallë, Dervishaj kërkoi që dëshmitarët të paraqiten personalisht për të konfirmuar nëse ata mund të identifikonin të pandehurit si personat që kishin qenë të pranishëm në vendngjarje. Po ashtu, Meçaj shfaqi shqetësim për lidhjen e dëshmive me procesin, duke pyetur çfarë lidhje kishin ato me akuzat ndaj tij.
Në këtë proces, SPAK ka kërkuar gjithashtu dëshmitarë të tjerë, përfshirë Luan Matën, babain e Ervin Matës, të cilët mund të ofrojnë informacione të tjera të rëndësishme për hetimin.
Gjyqi ndaj Dervishaj dhe Meçaj po vazhdon, ndërkohë që hetimet për atentatin e 1 nëntorit 2019 vazhdojnë të nxjerrin detaje të reja lidhur me dinamikën e ngjarjes dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë krim.