Meta: Arrestimi im dhe i Veliaj me prapavija politike, por me qëllime të ndryshme. Ndaj meje nuk kanë asnjë provë për korrupsion
Intervista ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta për portalin “Syri. net”
(Pjesa e dyte)
Z. Meta, si e gjykoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Veliajn?
Ilir Meta: Qëndrimi i Opozitës ka qenë shumë i drejtë për këtë çështje dhe kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese.
Ky vendim nuk e bën as Gjykatën Kushtetuese të pavarur nga Rama dhe as Z. Veliaj të pafajshëm.
Rama është mësuar t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve.
Ndaj keqpërdori këshilltarët e tij në Bashkinë e Tiranës duke bërë një process të parregullt ligjor.
Nëse Ramës i dhimbset Tirana që e ka betonizuar dhe tjetërsuar, ai bashkë me Veliajn mund ta shkarkojë në mënyrë ligjore.
Mjafton firma e Veliajt në emër të Këshillit Bashkiak për t’i hapur rrugë aferës së inceneratorëve, që Këshilli i Ministrave ta shkarkojë Z. Veliaj.
Ose mjafton prishja e paligjshme e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që kjo çështje ishte në Gjykatë Kushtetuese dhe “padurimi” i tij për të mos i lënë qytetarët e Tiranës pa kryetar do zgjidhej.
Por edhe në kushtet aktuale, nëse Rama dëshiron që Veliaj të përmbushë sa më shumë detyrat e tij, mund të krijojë kushte të përshtatshme në burg që ai të komunikojë me vartësit e tij, me Këshillin Bashkiak si në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e lejuar të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit, por edhe on-line.
Konkluzionet e Komisionit të Venecias kundër paraburgimit të kryetarëve të bashkive ishin të qarta.
Nëse Gjykata Kushtetuese do vepronte ndryshe, do krijonte precedentin që çdo Qeveri të shkarkonte çdo kryetar të zgjedhur bashkie nga qytetarët duke përdorur drejtësinë për realizimin e paraburgimit të padëshiruerve politikisht.
Shpesh hiqen paralele midis rastit tuaj dhe atij të Z. Veliaj. A shihni ju një lidhje?
Ilir Meta: E vetmja lidhje është se të dyja kanë një prapavijë politike, por qëllime të ndryshme.
Arrestimi im u urdhërua publikisht nga Edi Rama, se ai donte të terrorizonte opozitën dhe qytetarët para zgjedhjeve që të grabiste zgjedhjet, sic edhe ndodhi, ndërsa Erjon Velaij u arrestua nga Nesti Angoni, i cili është vetë Edi Rama.
Arsyeja ishte oreksi i Veliajt për t’u bërë pasues i Ramës.
Veliaj nuk u arrestua apo akuzua për kallëzimet e bëra nga opozita dhe shoqëria civile, si ato për inceneratorin apo Teatrin Kombëtar, se aty preket direkt Edi Rama si vendimmarrës dhe urdhërues.
Por ai u akuzua për çështje sekondare nga Nesti Angoni.
Po kështu, në dosjen e fabrikuar kundër meje nuk ekziston asnjë akt, urdhër, vendim, shkresë ku mund të jetë shkelur ligji apo cënuar interesi publik.
Aty ka vetëm mashtrime dhe hamendësime të shkruara nga Rama e firmosura nga tre prokurorët symbyllur.
Po kështu, ish-bashkëshortja ime nuk ka përfituar asnjëherë nga asnjë vendimmarrje e imja.
Po kështu, mua s’më kanë sekuestruar dot as një qindarkë apo metër katror.
Njëkohësisht akuzat për lobim s’kanë asnjë lidhje me mua.
Kontrata e LSI me GSIS, ka qenë shumë e qartë dhe asgjëkundi nuk ekziston firma ime apo autorizimi im për pagesa apo dijenia ime se dikush ka bërë pagesa të paligjshme në kundërshtim me kontratën e firmosur nga LSI dhe GSIS.
Nëse GSIS ka pranuar pagesa të paligjshme kjo e kthen atë në subjekt të drejtësisë amerikane.
Të gjitha letërporositë e SPAK-ut, me qëllim mbulimin e të vërtetës dhe jo zbulimin e saj, do i bëjmë publike pas seancës paraprake në respekt të ligjit.
Akuzohet vetëm Ilir Meta për lobimin me GSIS që s’ka asnjë firmë dhe asnjë autorizim dhe asnjë dijeni për veprime të parregullta, ndërsa ata që kanë firmosur pagesa janë bërë rilindësa falë “zemërgjerësisë” të SPAK-ut.
Altin Dumani nuk mban asnjë përgjegjësi që urdhri që ai firmos për arrestimin e Ilir Metës dhunohet publikisht nga Narkopolicia, ndërsa Ilir Meta duhet të mbajë përgjegjësi për firmat e të tjerëve se kështu i thotë rradakja Altin Dumanit që telekomandohet nga Edi Rama, kryekorruptuesi i McGonigalit, që i falte pasuritë natyrore të Shqipërisë për të ndërtuar procese shantazhuese në emër të FBI për të shuar opozitarizmin dhe demokracinë në Shqipëri.
Edhe në rastin e DIA me CEZ, është shumë e qartë se lidhjen e Kastriot Ismailit me Cez e ka bërë ajo partnerja amerikane e tij për shkak të lidhjeve që kishte më parë në Pragë.
Këtë e ka konfirmuar në një intervistë publike edhe bashkëshortja e Kastriot Ismailit.
Është po kjo zonjë amerikane, e cila në fund u regjistrua si drejtuese e DIA-s me ndihmën e Dumanit dhe Ramës dhe doli kundër Z. Ismaili në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë për interesat e saj.
Por SPAK-ut nuk i intereson e vërteta, se po të ishte kështu do kishte hetuar për kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për faljen e gati 500 milion euro që Rama e Gjiknuri i bënë CEZ-it që i takonin shtetit shqiptar edhe sipas kompanisë ndërkombëtare që bëri auditimin.
I gjithë dëmi që Gjykata e Lartë ka vlerësuar që ka bërë DIA e Z. Ismaili është 6 milionë euro, nga të cilat vetëm 24% është dëmi i interesave të shtetit shqiptar, ndërsa 76% është dëmi që ka pësuar CEZ sipas Gjykatës.
Pra efektivisht dëmi i qytetarëve shqiptarë është 1.5 milionë euro. Ndërkohë këta i kanë konfiskuar Z. Ismaili mbi 4 milion euro. Pra shteti ka dalë me fitim dhe jo me humbje nga DIA!
Ndërsa për 500 milion eurot e falura CEZ-it, SPAK as belbëzon e jo më të flasë dhe hetojë. Edhe pse kallëzimi ka qenë zyrtar dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Po kështu, ndryshe nga rasti i Veliajt unë nuk kam intimiduar asnjë prokuror dhe as dëshmitar për më tepër që në dosjen time nuk ekziston asnjë dëshmitar kundër meje, por të gjithë janë pro meje dhe këtë do e provojë gjykimi në themel.
Cilat janë pritmëritë tuaja nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë?
Ilir Meta: Që në fillim pritmëritë e mia kanë qenë zero dhe mbeten të tilla nga Gjykatat e Republikës, afërmendsh që komandohen nga Edi Rama.
E kam thënë që në fillim që ne do ta fitojmë këtë betejë në Strasburg ku në këtë rast Shqipëria do lerë pas edhe Rusinë me Navalnin dhe Bjellorusinë.
Por jemi të detyruar të ezaurojmë të gjitha shkallët e gjykimit vendas për të ecur drejt Strasburgut.
Ç’mund të presës nga Gjykatat me postë?
Kjo ishte një nga perlat e Ramaformës bashkë me Dhomën e Këshillimit (Komandimit).
Z.Meta, kjo zgjatje a nuk ju dëmton ju dhe Partinë e Lirisë?
Ilir Meta: Ky është një process kundër ekzistencës së Partisë së Lirisë (ish-LSI) dhe vetë pluralizmit politik.
Populli thotë i duruari, i fituari. Nelson Mandela duroi mbi 10 mijë ditë në burgjet e aparteiditi dhe doli si kokrra e mollës dhe u bë President.
Për mua është e rëndësishme që çdo ditë të mësoj diçka të re, të bëj një ushtrim të ri, të lexoj një libër të ri apo të sistemoj kujtimet e mia dhe të planifikoj një fillim të ri.
Partia e Lirisë ka një program të shkëlqyer të 5 Prioriteteve, të cilin duhet ta mbrojë dhe pasurojë çdo ditë.
Ajo duhet të bëjë çdo gjë për të mposhtur çensurën ndaj saj. 4 deputetët duhet të jenë në lartësinë e kërkuar të momentit. Po kështu këshilltarët tanë vendor që kanë qëndruar stoikë dhe nuk janë shitur te “Rilindja” për ndonjë vend pune.
Ndërkohë duhet të fillojnë që tani përpjekjet për zgjedhjet vendore dhe përzgjedhjen e kandidatëve më me reputacion në komunitetet e tyre.