Meta: Raporti i KE, kontradiktor. Si mund të vlerësohet SPAK kur nuk heton vjedhjen e fondeve të BE?
Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta për portalin “Syri. net” (Pjesa e parë)
Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, i burgosur me vendim politik, e quan raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë “kontradiktor, të dyfishtë dhe jokoherent”, Ai kritikon mosfunksionimin e Kuvendit dhe mungesën e llogaridhënies, duke u ndalur edhe te vërejtjet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e pabarabarta.
Sa i përket vlerësimeve pozitive për SPAK-un, Meta e quan “hipokrizi” dhe akuzon BE-në dhe disa zyrtarë europianë për ndikim politik dhe mbështetje të qeverisë Rama. Ai tha se Reforma në Drejtësi ka dështuar dhe është kthyer në “Ramaformë”.
"Rama lobon fort e paguan shumë për të marrë deklarata mbështetëse për SPAK-un, armën e tij kryesore politike që i ka mbetur për të garantuar pandëshkueshmërinë e tij dhe mosprekjen e kollonave që e mbajnë në pushtet, që janë krimi elektoral, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave që e ka rrëzuar përdhe euron dhe dollarin, por edhe industrinë dhe bujqësinë" thotë Meta
(Pjesa e parë)
Z. Meta, si e vlerësoni Raportin e Komisionit Europian?
Ilir Meta: Kontradiktor, të dyfishtë dhe jokoherent në tërësinë e tij. Thjesht një dëshirë e Komisionit Europian për të parë çerekun e gotës plot se nuk bëhet fjalë për gjysmën e gotës në rastin tonë.
Të gjitha raportet serioze ndërkombëtare lidhur me treguesit e konvergjencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor e renditin Shqipërinë të fundit, madje në përkeqësim të ndjeshëm lidhur me klimën e biznesit, tregut e infrastrukturës dhe çdo aspekt.
Mjafton të përmend raportin e fundit të OECD nën kujdesin e Presidencës polake të Bashkimit Europian, bazuar në të dhënat e EUROSTAT-it kryesisht.
Por fakti që pranohet mosfunksionimi i Kuvendit dhe pamundësia e tij për kontrollin e qeverisë është kuptimplotë për të kuptuar se nuk ekziston as llogaridhënia, as transparenca që janë jetike për mirëqeverisjen.
Po kështu, citimi i disa konkluzioneve kyç të OSBE-ODIHR se zgjedhjet ishin të pabarabarta, tregon gjëndjen e rëndë të demokracisë dhe legjimitetit të institucioneve dhe vetë Kuvendit e Qeverisë.
Po vlerësimet e tyre pozitive për SPAK si i shikon?
Ilir Meta: Ju mos prisni që ata të pranojnë dështimin e tyre me Reformën në Drejtësi, përfshirë dhe SPAK-un në veçanti?
Nëse do ta pranonin këtë, shumë prej zyrtarëve të BE në Bruksel e Tiranë duhej të gjykoheshin për ndërhyrjet e tyre manipulative e të paligjshme për t’ia dhënë drejtësinë në dorë Edi Ramës si armë politike për të kapur shtetin e luftuar kundërshtarët politikë. Kush do mbante përgjegjësi për qindra milionë euro?
Tentakulat e Sorosit në BE, në Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian janë shumë të forta, madje ndikimi i tij ka qenë edhe në EPP.
Kjo është shprehur edhe në kontradiktat e tyre me Hungarinë e Viktor Orban dhe jo vetëm.
Sepse Orban ka qenë kundërshtari i parë i Sorosit dhe ndikimeve puçiste të tij në politikën e vendeve të ndryshme.
Ndaj edhe BE ka standarde të ndryshme për vende të ndryshme.
Në Maqedoninë e Veriut insistuan për të futur në Kushtetutë e ligj organizimin e zgjedhjeve të lira nga qeveri teknike, ndërsa për Shqipërinë ku gjendja është shumë më e rëndë, përpiqen ta relativizojnë me klishe boshe.
Por është detyra e Opozitës të demonstrojë më fort gjendjen reale të vendit dhe përshkallëzojë reagimin e saj.
World Justice Project në raportin e fundit tregoi më së miri përkeqësimin e indekseve për drejtësinë në vendin tonë, krahasuar me 2015.
Të jesh shumë vende pas Vietnamit komunist ishte e turpshme, por edhe e vërtetë fatkeqësisht.
Plus, konsideratat e tyre për SPAK kanë një dozë të dukshme hipokrizie.
Ata konstatojnë se Shqipëria nuk është gati për të zhbllokuar IPARD-in që u bllokua prej dy vitesh për shkak të korrupsionit, por a nuk u bën përshtypje atyre që ky SPAK-u i “mrekullueshëm” i tyre ka dy vjet që fle mbi dosjet e OLAF-it dhe ndërkohë çdo vit fermerët shqiptarë humbasin 115 milionë euro.
Kjo është efiçenca e hetimit të SPAK-ut kur bëhet fjalë edhe për fondet e BE?
Greqia para pak ditësh njoftoi arrestimin e 37 zyrtarëve për abuzim me fondet e BE për bujqësinë dhe sekuestrimin e 22 milionë eurove.
Sa miliona euro ka sekuestruar ky SPAK-u i tyre nga 38 milionë euro të vjedhura e abuzuara nga banda e Edi Ramës nga fondet IPARD?
Ndërkohë, s’duhet të harrojmë se BE dhe vendet anëtare janë të detyruara të bashkëpunojnë me SPAK për shkak të përmasave të frikshme të krimit të organizuar shqiptar në vendet e tyre.
Ndaj dhe ndonjë fjalë të mirë do e thonë se ua do interesi i bashkëpunimit për hallet e tyre në rradhë të parë.
Por edhe ata e dinë se 250 urdhër-arreste të firmosura “flenë” në sirtarët e SPAK-ut, se personat në kërkim janë lajmëruar në kohën e duhur.
Një gjë është e sigurt, se BE nuk mund t’ia rekomandojë asnjë vendi tjetër Reformën shqiptare se të gjithë e dinë se ishte dështim në zbatim dhe përfundoi në Ramaformë nga kapja antikushtetuese që ndodhi edhe me ndihmën e disa zyrtarëve europianë.
Rama lobon fort e paguan shumë për të marrë deklarata mbështetëse për SPAK-un, armën e tij kryesore politike që i ka mbetur për të garantuar pandëshkueshmërinë e tij dhe mosprekjen e kollonave që e mbajnë në pushtet, që janë krimi elektoral, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave që e ka rrëzuar përdhe euron dhe dollarin, por edhe industrinë dhe bujqësinë.