Krimet e Anatoli Moskvinit, grabitësit të varreve që vidhte kufoma vajzash e i vishte si kukulla
Anatoli Moskvin njihej si ekspert i varrezave lokale në Nizhni Novgorod të Rusisë, por më vonë doli se ai zhvarroste trupa fëmijësh të vdekur dhe i kthente në "kukulla të gjalla."
Anatoli Moskvin e adhuronte historinë. Fliste 13 gjuhë, kishte udhëtuar shumë, jepte mësim në universitet dhe ishte historian i njohur në qytetin e pestë më të madh të Rusisë, Nizhni Novgorod. Moskvin ishte gjithashtu një "nekropolist", ose ekspert për varreza.
Por ai e çoi këtë pasion në një nivel të tmerrshëm. Në vitin 2011, ai u arrestua pasi policia gjeti 29 trupa të balamosura vajzash dhe grash të reja në banesën e tij. Moskvin i kishte vjedhur trupat nga varrezat lokale, i kishte ruajtur me një përzierje shtëpie dhe i kishte zbukuruar që të dukeshin si kukulla në madhësi reale.
Si e zhvilloi Anatoli Moskvini fiksimin e tij të sëmurë pas të vdekurve
I lindur në vitin 1966, Moskvini u bë ekspert për varrezat e Nizhni Novgorodit. Ai e lidhte këtë mani me një ngjarje të vitit 1979, kur ishte 13 vjeç. Ai e tregoi këtë histori në një botim rus për varreza dhe nekrologji të quajtur Nekrologjitë.
Në artikullin e tij të fundit, të datës 26 tetor 2011, Moskvini shkroi se disa burra me kostume të zeza e kishin ndaluar në rrugë për në shtëpi. Ata po merrnin pjesë në varrimin e Natasha Petrovës, një vajze 11-vjeçare dhe e detyruan Anatolin e vogël t'i jepte një puthje vajzës së vdekur.
"E putha një herë, pastaj përsëri, pastaj përsëri," shkroi ai. Thuhet se nëna e vajzës i vuri unaza martese si djalit ashtu edhe trupit të vajzës së saj të vdekur.
"Martesa ime e çuditshme me Natasha Petrovën ishte e dobishme," shkroi Moskvini, duke thënë se ajo e bëri të besonte në magji dhe nxiti interesin për të vdekurit. Sado e çuditshme të dukej, askush nuk e ndaloi këtë mendësi për dekada.
Një interes gjithnjë në rritje për varrezat dhe makabren
Fiksimi i Moskvinit nuk u shua kurrë. Që në fëmijëri ai endej nëpër varreza. Ky interes i errët ndikoi edhe në studimet e tij. Moskvini mori diplomë të avancuar për studimet kelte dhe fliste rrjedhshëm 13 gjuhë, dhe kishte shumë punime të botuara.
Ndërkohë, ai vazhdonte të vizitonte varreza të ndryshme. "Nuk mendoj se ka njeri në qytet që i njeh më mirë se unë," tha ai. Nga viti 2005 deri më 2007, Moskvini vizitoi 752 varreza në gjithë rajonin.
Ai mbante shënime të hollësishme, duke studiuar historitë e të varrosurve. Pretendonte se ecte deri në 30 kilometra në ditë për të arritur në varreza, flinte mbi kashtë dhe pinte ujë shiu. Ai shkroi raporte me tituj si Çfarë thanë të vdekurit dhe Shëtitje të mëdha rreth varrezave.
Madje tregonte se kishte fjetur një natë në arkivol, para një varrimi. Por vëzhgimet e tij nuk ishin thjesht akademike.
Shkatërrimi masiv i varreve
Në vitin 2009, banorët lokalë zbuluan se disa varre të njerëzve të dashur ishin dëmtuar dhe disa ishin hapur plotësisht. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme Ruse tha për CNN se pista kryesore ishte se ndoshta kishin vepruar grupe ekstremiste. Por për gati dy vjet, hetimet nuk dhanë rezultat.
Nuk është e qartë saktësisht se si u kap Moskvini në vitin 2011. Disa burime thonë se policia dyshoi pasi e mori në pyetje për varret e prishura; të tjera thonë se u kap duke mbajtur një qese me eshtra. Kur policia shkoi në banesën e tij, ajo që gjetën i tmerroi.
Zbulimi i koleksionit të frikshëm të "kukullave" të Moskvinit
Moskvini, 45 vjeç në momentin e arrestimit, jetonte me prindërit. Autoritetet gjetën figura në madhësi reale të veshura me rroba të ndryshme, disa me çizme, të tjera me fustane me dantella. Disa kishin grim në fytyrë.
Policia kuptoi se këto "kukulla" ishin trupa të balsamosur vajzash dhe grash të reja.
Kur lëvizën njërën prej tyre, dëgjuan muzikë: Moskvin kishte vendosur kuti muzikore brenda, në mënyrë që të bënin zhurmë kur prekej trupi. Në banesë u gjetën edhe pllaka varresh, manuale për ndërtimin e kukullave dhe harta varrezash. Gjurmët e këpucëve në vendin e krimeve përputheshin me ato që ai kishte në shtëpi.
Brenda trupave të balsamosur kishte sende të çuditshme: në njërin trup ndodhej një copë e pllakës së vet të varrit, në një tjetër një etiketë spitali, dhe në një trup tjetër një zemër e tharë njerëzore.
Moskvin pranoi se i kishte mbushur trupat me rroba të vjetra për t'i mbajtur në formë dhe u kishte vënë çorape najloni ose fytyra kukullash. Ndonjëherë, në vend të syve vendoste kopsa ose sy lodrash që të mund "të shikonin filma vizatimorë" me të.
Thuhet se ai vepronte nga vetmia dhe dëshira për të pasur një vajzë, pasi i ishte refuzuar adoptimi për shkak të ardhurave të ulëta. Ai mohoi çdo prirje seksuale ndaj "kukullave" të tij, duke thënë se i konsideronte si fëmijët e tij dhe besonte se një ditë shkenca do t'i sillte përsëri në jetë. Ai përdorte kripë dhe sodë buke për t'i ruajtur trupat.
Prindërit e tij thanë se nuk dinin asgjë. Nëna e tij Elvira, 76 vjeçe në atë kohë, tha: "I kemi parë këto kukulla, por nuk e kemi ditur që ishin trupa të vdekur. Mendonim se ishte hobi i tij."
"Hobi" i errët i Moskvinit tronditi të njohurit e tij
Autoritetet zbuluan 29 kukulla në madhësi reale, nga mosha 3 deri në 25 vjeç. Thuhet se një trup e kishte mbajtur për nëntë vjet. Moskvini u akuzua për përdhosje varresh dhe trupash dhe mori nofkën "Kryezoti i mumieve."
Fqinjët mbetën të tronditur. Historiani dukej i qetë dhe prindërit e tij të sjellshëm. Më e çuditshmja ishte se Moskvini pranoi gjithçka në gjykatë dhe nuk kërkoi falje, duke thënë: "Ju i braktisët vajzat tuaja, unë i mora në shtëpi dhe i ngroha."
A do të lirohet ndonjëherë Anatoli Moskvini?
Menjëherë pas arrestimit, Moskvini u diagnostikua me skizofreni paranoide dhe u shpall i papërshtatshëm për gjykim. Ai u dërgua në një spital psikiatrik.
Në vitin 2018, disa mjekë rekomanduan lirimin e tij, duke thënë se ishte i sigurt për t'u kthyer në shtëpi. Kjo shkaktoi zemërim te familjet e viktimave.
Natalia Chardymova, nëna e viktimës Olga, tha: "Më tmerron mendimi që ai mund të ketë liri të shkojë ku të dojë."
Prokurorët kundërshtuan, duke siguruar që Moskvini të mbetej në spital për një kohë të pacaktuar. Moskvini vazhdon të jetë i shtruar në spital, por nuk ka garanci që do të mbetet aty përgjithmonë.
Më e frikshmja është se ai thuhet t'u ketë thënë autoriteteve: "Mos i varrosni vajzat shumë thellë, sepse kur të lirohem, do t'i mbledh sërish."/ ATI