Rama sulmon sërish Gjykatën Kushtetuese për Veliajn/ Pse heshtin Silvio Gonzato dhe Marta Kos për këto çështje?
Edi Rama e nisi ditën sot duke sulmuar sërish Gjykatën Kushtetuese.
Ai tha se vendimi për çështjen e Erion Veliajt është një skandal më vete.
“Unë dua të theksoj diçka tjetër, çfarëdo është thënë nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga qeveria, si rrjedhojë e vendimit të marrë nga PS në Bëshillin Bashkiak. E vërteta është e thjeshtë, Tirana duhet drejtuar, nuk mund të jetë trup pa kokë. Kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye. Kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se përtej të gjitha teorive konspirative që kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal në vetëvete, një skandal që qytetarët e paguajnë një kosto të padrejtë”, tha Rama.
Kujtojmë se në progres-raportin e BE thuhej qartësisht se Edi Rama nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke treguar se shpërfill institucionet e pavarura.
Por pavarësisht se kjo ishte një ‘shuplakë’ shumë e fortë në raport, mes kritikave të tjera të ashpra, BE nuk ka reaguar për këtë çështje.
Megjithatë një ditë më parë pati një reagim nga vetë komisionerja Marta Kos, e cila tha se është i papranueshëm sulmi ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në fakt ky i fundit nuk u sulmua nga kreu i opozitës, i cili thjesht kërkoi të mësonte se mbi cilën direktivë të BE ishte mbështetur ligji i Edi Ramës për barazinë gjinore.