VIDEO/ Berisha: Ligj për ‘Gjininë’ i hap rrugën instalimit të ideologjisë post-marksiste, tani fjalën e kanë qytetarët shqiptarë

Pas miratimit me votat e mazhorancës të projektligjit për ‘Gjininë’, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë, duke e denoncuar si një sulm ndaj rendit juridik dhe vlerave themelore të shoqërisë shqiptare.

Ai e cilëson këtë ligj si hapësirë për përhapjen e ideologjisë post-marksiste dhe nënvizon se vendimi është marrë pa debat të gjerë dhe në shkelje të rregullave bazë parlamentare.

Berisha thekson se PD do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të familjes dhe kundër çdo forme diskriminimi gjinor, duke u përqendruar tek fuqia vendimtare që, sipas tij, tashmë e kanë qytetarët shqiptarë.

Prononcimi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Votuan kundër familjes, gjinisë. E vendosën pa debat, të tmerruar nga vota e tyre dhe qëndrimi i tyre.

Faktikisht, parlamenti është thjesht formal, sepse s'po respektohet asnjë nga rregullat bazë të tij. Ishte një moment ky për të debatuar gjerësisht për një ligj që i hap rrugën instalimit të ideologjisë post-marksiste, ideologjia më e rrezikshme e kohës.

Por tani fjalën do ta kenë qytetarët shqiptarë. Partia Demokratike është e përcaktuar absolutisht kundër çdo forme diskriminimi gjinor dhe ka votuar një ligj ndër më të mirët që ekziston.

Kurse, ligji i sotëm është një ligj që përmbys rendin juridik të Shqipërisë, kushtetutën e vendit në një seri nenesh, kodet e vendit që përbëjnë bazën e sistemit juridik, dhe ligje të tjera.

Me akte të tilla, Edi Rama kërkon të blejë kohë dhe influenca, por kohërat do t'i ketë të shkurtra.

Faleminderit.