Strazimiri: Standard i BE është barazia gjinore, jo paqartësia gjinore
Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri reagoi me tone të ashpra në seancën parlamentare, duke kundërshtuar akuzat se opozita është kundër barazisë gjinore. Ai ironizoi debatin duke e quajtur situatën ‘Griselda 2’, në krahasim me një rast të mëparshëm që, sipas tij, ishte bazuar në dezinformim.
Strazimiri theksoi se qeveria e drejtuar nga Sali Berisha ka qenë nismëtare e dokumenteve për barazinë gjinore, ndërsa akuzoi mazhorancën aktuale për përhapje manipulimesh dhe përkrahje të asaj që e quajti ‘gender ambiguity’. Deputeti u shpreh se debati duhet të jetë i qartë dhe i ndershëm, pa përdorur mashtrime për qëllime politike.
Gent Strazimiri: Replika, replika. Është i drejtosh fjalën dikujt dhe dikush që t'i drejtosh fjalën duhet ta meritojë. Eskrementet njerëzore nuk e meritojnë këtë punë edhe në qoftë se janë në parlament. Përsa i përket asaj që sapo morët zyrtarisht në mikrofon, për faktin që ka reaguar komisionerja Kos e të tjera me radhë, është thjesht ‘Griselda 2’. ‘Griselda 1’ kërkonte foshnjën e Griseldës që po Sali Berisha ja kishte rrëmbyer në një natë të errët për shkak se kishte fituar bashkinë i shoqi. Griselda 2 është kjo, që Sali Berisha dhe ne qenkemi kundër ‘gender equity’. Jo, s'është e vërtetë. Përkundrazi, të gjitha dokumentat që vendosin për ‘gender equity’ kanë firmën e kësaj qeverie kur ka qenë në pushtet me kryeministrin Sali Berishën. Ne sot jemi këtu kundër, dhe ky është dezinformimi, ‘gender ambiguity’. Dhe ky është debati. Ashtu sikurse Tanja Fajonin në vitin 2007 e mashtruat, po për fat të keq një politikane sllovene, sot guxojnë të mashtrojnë një komisionere të Bashkimit Evropian po ashtu sllovene. Është Griselda 2 dhe ju duhet të mbani një qëndrim këtu. Ju ishit këtu, ju e dëgjuat. Nuk jemi kundër ‘gender equity’, jemi kundër ‘gender ambiguity’. Ju faleminderit.