Balliu: Projektigji i Soros dhe lëvizja Woke' janë rrezik për familjen

Në seancën e sotme parlamentare deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu,  e cilësoi administratën aktuale si një “organizatë kriminale” dhe jo si një administratë publike me standarde europiane.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, deputeti Balliu denoncoi një sërë aferash korruptive që dëshmojnë natyrën kriminale të qeverisjes. Ai përmendi arrestimin e pesë inspektorëve të IMT-së dhe shpalljen në kërkim të gjashtë të tjerëve vetëm një ditë më parë. Gjithashtu, ai solli në vëmendje rastin e një ish-drejtori të OST-së të kapur me 40 milionë euro kokainë, si dhe skemat e njohura si “5D”, të cilat i quajti “skema vjedhjeje të kësaj administrate”. Deputeti pretendoi se ministrat nuk po firmosin më dokumente të rëndësishme, duke ia deleguar përgjegjësinë drejtorëve më të ulët për t'i futur ata “në burg për ne”.

Balliu shtroi pyetjen retorike nëse shqiptarët kanë fituar realisht nga këto fitore. Përgjigja, është një jo e prerë. Ai argumentoi se ndërkohë që qeveria feston fitore, shqiptarët largohen masivisht nga vendi. Sipas deputetit, çmimet në Shqipëri kanë arritur nivelet e vendeve më të shtrenjta të Europës, madje duke i kaluar ato të Italisë dhe Francës për produktet ushqimore, ndërsa të ardhurat e vetme për qytetarët kanë qenë taksat më të larta. “Ju jeni bërë miliarderë me lekët e tyre, ndërkohë që shqiptarët zgjodhën kurbetin. Sot, një në katër shqiptarë është në emigrim,” deklaroi ai, duke e quajtur këtë përgjegjësi direkte të qeverisë.

Deputeti hodhi poshtë akuzat se opozita sulmon ambasadorët, duke kundërakuazuar mazhorancën për protesta të organizuara kundër NATO-s në të kaluarën. Ai sqaroi se qëndrimi i opozitës është një thirrje për qytetarët që të mbrojnë familjet e tyre nga ajo që ai e quajti “ligji i Soros”. Sipas tij, ky është “një ligj që thotë se ka 100 gjini” dhe që promovohet nga “lëvizja Woke”, e cila sponsorizohet nga një shoqatë që hetohet në SHBA si “organizatë kriminale”.

Më tej Balliu u shpreh se raporti i ardhshëm i OSBE/ODIHR-it do të zbulojë një realitet tjetër nga ai që paraqet qeveria. Ai vuri në dukje se pavarësisht organizimit të samiteve ndërkombëtare, fondet europiane nuk erdhën. “Pse? Sepse jeni të korruptuar. Jeni qeveri e korruptuar, vidhni fondet,” përfundoi ai fjalën e tij.

Balliu: 

Tani, që ta quash këtë administratë europiane, më vjen keq po duhet të jesh i çmendur. Një administratë që vetëm ditën e djeshme pesë inspektorë të IMT-së u arrestuan, gjashtë të tjerë u shpallën në kërkim. Kjo është organizatë kriminale, jo administratë publike. Si e quani ju këtë administratë publike? Drejtorin tjetër të OST-së jua kapën me 40 milionë euro kokainë, e kishit pasur dhe ish-kryetar komune atë në Frakull, apo e harruat?

Këtë Vis Berberin e keni në burg. Këto skemat 5D, 5B, 5V, 5Zh, që i keni shpikur ju, gjithë skema vjedhje të kësaj administrate. Nga e para tek e fundit. Se këto, ministrat këtu nuk firmosin më. Edhe Belinda tani nuk firmos më. E hodhi firmën e fundit atje, nuk firmos më. Firmat ja u vini drejtorëve, administratës. Futuni ju në burg për ne. Pastaj dëgjova këtu, do fitojmë, ne kemi fituar, sa kemi fituar. Po mor po, ju keni fituar, po pyetja është, po shqiptarët me këto fitoret tuaja, kanë fituar? Jo. Ju fitoni, ndërkohë që shqiptarët largohen. Për shkak të kësaj administrate. Kemi sulmuar ne ambasadorin e Bashkimit Europian, dhe këtë ta thotë një parti, e cila kryesohet nga ky njeri.

Nuk dëgjoni. T'jua kujton Taulanti, kur protestonit kundër NATO-s. Dilte ky thoshte, e presim NATO-n me protestë. Kujtoje Taulant si organizoheshin takimet dhe protestat. Ju do na flisni ne që sulmojmë perëndimin? Ju që s'keni lënë gjë pa thënë kundër perëndimit? Dhe na tregoni, dhe na tregoni se po sulmojmë ambasadorët, sepse po i themi qytetarëve shqiptarë që ngrihuni, mbroni familjen nga nga ligji i Soros.

Nga një ligj që thotë ka 100 gjini. Nga lëvizja Woke, që sponsorizohet nga një shoqatë që hetohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si organizatë kriminale. Puthuni sa të doni, përqafohuni sa të doni me shoqatën, por nuk e ndryshon faktin që është në hetim si organizatë e mirëfilltë kriminale. Dhe fitoret që i shpallni, fitoret një qeveri do t'i shpallte në qoftë se fitonte dhe Shqipëria. Po çfarë ka fituar Shqipëria gjithë këtë kohë që keni qeverisur ju? Më shumë taksa. Kemi taksa...ndërkohë që çmimet kanë shkuar në të njëjtin standard me vendet më të shtrenjta të Europës. Më të shtrenjta janë ushqimet në supermarketet tona se në supermarketet e Italisë apo të Francës. Ku paskan fituar shqiptarët?

Keni fituar ju. Po mor po, ju keni fituar. Ju jeni bërë miliarderë me lekët e tyre. Ndërkohë që shqiptarët për shkak se i vidhni ju, zgjodhën kurbetin. Dhe sot kryesojmë, një në katër shqiptarë është në emigrim. Përgjegjësia e kujt është kjo? Përgjegjësia e fitoreve tuaja. Sepse fitoret tuaja janë kurriz i Shqipërisë. Raporti i OSBE-ODIHR-it do të sjellë një realitet komplet tjetër nga ai që bëni ju zhurmë. Se e vërtetë është, bëtë dhe samitin për Ballkanin Perëndimor. Ju erdhën të gjithë, i takuat të gjithë. Lideri suprem i përqafoi të gjithë. Dy muaj më mbrapa erdhën fondet e IPA-rd? Jo. Pse? Se jeni të korruptuar. S'erdhën fondet e IPA-RD. Pse? Jeni qeveri e korruptuar, vidhni fondet.