'Cënon jurisprudencën dhe moralin e shoqërisë'/ Komani: Projektligji për barazinë gjinore prek gratë dhe biologjinë

Aktivistja dhe drejtuesja e Institutit 'Instituti Konservator Shqiptar', Lindita Komani, ka komentuar mbrëmjen e sotme në Syri TV projektligjin për barazinë gjinore, i cili pritet të votohet në Kuvend. Në intervistën e saj, Komani e cilësoi nismën ligjore si “delikate” dhe paralajmëroi se ajo mund të ketë pasoja serioze për konceptin e barazisë gjinore dhe për të drejtat e grave.

“Çështja është delikate, sepse djalli gjithmonë fshihet te detajet. Projektligji lejon që të shtohet numri i gjinive. Edhe pse pretendohet se nuk ndryshon gjë, në fakt hapësira që krijohet përmes formulimeve ligjore e bën të cënueshëm gjithë atë për të cilën qëndrojmë si shoqëri,” – u shpreh Komani.

Sipas saj, ndryshimet e propozuara janë mbajtur të fshehta deri në momentin që u bënë publike, rreth muajit shtator, dhe përmbajtja e tyre “nuk mundëson barazinë, por përkundrazi cënon të drejtën e grave”.

“Ligji lejon që një burrë të deklarohet si grua dhe të trajtohet si i tillë, gjë që cenon vetë qenien e gruas. Kjo prek biologjinë, moralin, ligjin natyral dhe vetë jurisprudencën,” – shtoi ajo, duke përmendur edhe ndikimet që një qasje e tillë mund të ketë në sport, politikë dhe fusha të tjera ku ekzistojnë kuota gjinore.

Komani argumentoi se projektligji përfaqëson “një axhendë të imponuar nga jashtë” dhe nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

“Kemi të bëjmë me një vullnet të imponuar nga larg, një axhendë që nuk ka të bëjë me qytetarinë shqiptare dhe me politikëbërjen vendase. Ky është një abuzim me termin ‘integrim në Bashkimin Europian’, sepse ky lloj ligji nuk është i pranishëm në të gjitha vendet e BE-së,” – deklaroi ajo.

Ajo shtoi se vetëm pak shtete europiane, si Gjermania dhe Malta, lejojnë vetëdeklarimin e gjinisë, ndërsa në vende të tjera një gjë e tillë kërkon ndërhyrje ose trajtime mjekësore.

Komani:

Çështja është delikate me thënë të drejtën se djalli gjithmonë fshihet te detajet. Kështu që ata që bëjnë sikur nuk është kështu, sigurisht që janë nga ana jo, jo e drejtë.

Tani, projektligji lejon që të shtohet numri i gjinive. Pavarësisht mbrojtjes që mund të ketë bërë pala që thotë që pretendon që nuk do të ndryshojë, e lejon përmes hapësirës që të lejojnë fjalët që mund të përdorësh në në projektligj, dhe kjo e bën të cënueshëm gjithë atë që për të cilën ne qëndrojmë. Nuk është thjesht ne si institut, po atë që qëndron çdo shqiptar,  shoqëria civile në përgjithësi, komunitetet fetare, partitë e djathta, partitë e qendrës, madje unë mendoj dhe pjesa dërrmuese e Partisë Socialiste, të cilët sot kanë mundësinë që të votojnë, të japin votën e tyre pro ose kundër këtij ligji. Dhe me logjikën e tyre të shëndoshë, unë shpresoj që e kanë të tillë, do të votojnë kundër ligjit në formën që ka ardhur deri tani.

Për mua ka qenë shumë interesant kur doli në pah ndryshimet që ishin propozuar për ligjin, kanë qenë krejtësisht të fshehta deri në momentin që u bë publike, diku nga shtatori, dhe ne kemi marrë qëndrim që atëherë, duke duke folur që ligji faktikisht nuk nuk e mundëson barazinë, sepse ai cënon të drejtën, le të themi, unë jam grua, po them, cënon të drejtën time si grua. Sepse duke mundësuar që një burrë të deklarohet si grua dhe të kthehet në grua,  pra gratë janë të pambrojtura duke nisur për shembull me rastin e përballjeve në sporte, pra në në fusha të tjera të jetës, në të cilat sigurohet le të themi prania në tavolina të caktuara, qoftë edhe politike, përmes kuotave.

Kjo e cënon vetë faktin e qenies grua, dhe cënon biologjinë, cënon moralin, cënon ligjin natyral, cënon edhe jurisprudencën, e cila në fund të fundit është një marrëveshje midis qytetarëve të një vendi dhe është baza, baza e saj është shumica. Pra, mund të lejohen sigurisht në bazë të të drejtave të njeriut që t'i jepet mundësia për barazi dhe për njerëzit që janë pjesë e një minorance të caktuar, pra të çfarëdo lloj forme, por kjo nuk do të thotë që duhet cënohet baza e jurisprudencës që është vullneti i shumicës së popullit. Në këtë rast ne kemi të bëjmë me një vullnet të imponuar nga larg, një axhendë që nuk ka të bëjë aspak me qytetarinë shqiptare dhe me  jurisprudencën, me politikëbërjen shqiptare dhe me me atë që ndjejnë shqiptarët, por është diçka e ardhur nga jashtë, me axhenda ndërkombëtare të cilat...

Atëherë, unë mendoj që ky është një abuzim me termin integrim në Bashkimin Europian. Sepse ky ligj, ky lloj ligji nuk është i prezent në të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Unë paraprakisht sot, sot dëgjova disa intervista, kishte folur edhe pastor Akil Pano, i cili thoshte më duket është në dy vende të Bashkimit Europian, në Gjermani dhe në Maltë. Unë kërkova pak para se të dilja në këtë intervistë.

Më rezulton që janë disa vende që kanë një leje për të për t'u vetëdeklaruar. Ka vende të tjera të cilat këtë lloj leje për vetëdeklarim e kanë të lidhur me trajtime të forta mjekësore, qoftë me ndërhyrje me operacione apo me me medikamente të llojeve të ndryshme. Pra që nuk e lejon thjesht të deklarohesh unë dua të jem kështu ose ashtu. Tani, këtu është me rëndësi që të kuptohet që ka një abuzim edhe me çështjen pra, dallimi biologjik.