'840 milionë euro për PPP-të' Tabaku: Buxheti 'han pa porta' për sistemin e korruptuar që ushqehet nga kuvendi

Deputetja Jorida Tabaku denoncoi sot në Kuvend "sistemin e korruptuar dhe të pandershëm" që po abuzon me financat publike dhe po mban peng zhvillimin e vendit.

Duke u bazuar në raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Tabaku paraqiti një tablo të zymtë të menaxhimit të burimeve shtetërore, me fokus të veçantë te Partneritetet Publike-Private (PPP).

Në fillim të fjalës së saj, deputetja theksoi rëndësinë kritike të pavarësisë së institucioneve si KLSH, duke dënuar sulmet politike ndaj tyre.

"Është shumë e rëndësishme që ne ta ruajmë pavarësinë e institucionit. Ajo që ndodhi vitin e shkuar shkeli një vizë të kuqe jo vetëm ligjore, por edhe në pavarësinë e këtij institucioni," deklaroi ajo, duke shtuar se pushteti tenton gjithmonë të kontrollojë edhe institucionet e pavarura.

Duke iu referuar gjetjeve të KLSH-së, Tabaku vuri në dukje se problemet me prokurimet, koncesionet dhe sigurinë ushqimore përsëriten vit pas viti pa asnjë reflektim apo masë nga ana e qeverisë.

Tabaku denoncoi kostot e lartë të PPP-ve.

"Në harkun kohor të shtatë viteve, 2017-2024, taksat e qytetarëve shqiptarë kanë paguar 840 milionë euro për partneritetet publike-private," tha Tabaku.

Ajo shtoi se nga 12 kontrata koncensionare, gjashtë prej tyre janë aktualisht nën hetim për një vlerë prej rreth 650 milionë eurosh. Këto shifra, janë në kontrast të thellë me realitetin e vështirë ekonomik të familjeve shqiptare, ku 55% e tyre mezi e mbyllin muajin.

Tabaku akuzoi se ky sistem është produkt i drejtpërdrejtë i ligjeve të kaluara në Kuvend, duke e cilësuar si një "korrupsion të miratuar".

"Është një sistem i cili çdo ditë ushqehet me kartonat që ngrihen në këtë sallë, me ligjet që shkojnë në parlament," pohoi ajo.

Sipas saj, buxheti i shtetit është kthyer në një "han pa porta", ku planifikimi nuk ka vlerë dhe ndryshimet bëhen me akte normative sipas "oreksit të ministrave".

y sistem i mbyllur, sipas saj, ka shkatërruar konkurrencën dhe ka krijuar monopole në sektorët kyçë të ekonomisë. Në përfundim, deputetja Tabaku bëri thirrje që parlamenti të ngrihet në lartësinë e detyrës për të sjellë transparencë dhe drejtësi, duke theksuar se për sa kohë ky sistem vazhdon, ekonomia do të mbetet e kapur dhe familjet shqiptare do të kenë të pamundur të sigurojnë jetesën.

Fjala e Jorida Tabakut

 Së pari, dua ta nis me një vlerësim për raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, po njëkohësisht dhe për gjetjet e tyre. Ky është raporti i 12-të në radhë në fakt që unë lexoj dhe gjithmonë e më shumë bindem për së pari statusin e financave publike dhe së dyti abuzimin me burimet shtetërore. E dëgjova me shumë interes zotin Xhafa dhe unë nuk parabie dakord me zotin Xhafa, po këtu bie dakord. Është shumë e rëndësishme që ne ta ruajmë pavarësinë e institucionit.

Është shumë e rëndësishme që Kontrolli i Lartë i Shtetit të jetë një institucion i pavarur, i painfluencuar, i pandikuar dhe ajo që ndodhi në parlamentin e Shqipërisë vitin e shkuar për mua shkeli një vizë të kuqe jo vetëm ligjore, por shkeli një vizë të kuqe edhe në pavarësinë e këtij institucioni dhe sulmet ndaj kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të pakonceptueshme, besoj që treguan që pushteti sigurisht do të marrë gjithmonë e më shumë pushtet. Pushteti sigurisht që do të shkojë dhe te institucionet e pavarura, po ka një limit dhe unë besoj që Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet ruajtur si një institucion i pavarur.

Së dyti, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hapur debat vitin e fundit për shumë tema. Nga siguria ushqimore, siç tha zoti Braçe, akulloret që kanë hyrë në tregun shqiptar, deri tek barnat e rimbursueshme, tek prokurimet, koncesionet, duke vijuar njëkohësisht edhe me sektorë të tjerë të cilët nuk përmenden për herë të parë në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, po vijmësisht vit pas viti. Dhe unë nuk shoh as reflektim, as masa nga ana e qeverisë. Por shoh një normalitet të ri të fituar, i cili duket sikur pavarësisht se çfarë shkruan Kontrolli i Lartë i Shtetit, pavarësisht se çfarë hetimesh ndiqen nga organet ligjzbatuese, qeveria vazhdon e qetë në rrugën e saj.

E kjo duhet të ndryshojë. Duhet të ndryshojë jo vetëm me rezolutat që vijnë këtu në parlament, po këto institucione janë atje për t'u siguruar që ka një kontrollor mbi punën e qeverisë, që ka një kontrollor të auditit mbi financat publike dhe ka një institucion i cili sjell rekomandime që duhen zbatuar, jo fjalë në erë. Historia që po dëgjojmë këto ditë nuk ka ndryshim nga historitë e tjera. Pak mund të duket më e butë, disa të tjerëve mund të duket pak më e rëndë, po kjo varet edhe nga këndvështrimi. Gjithsesi, thelbi i historisë mbetet i njëjtë. Një sistem i korruptuar, i pandershëm, që punon për një pakicë të vogël ekonomike dhe politike e që ndan me vizore, me mesazhe kujt i takon çfarë. Dhe kuptohet që sigurisht shqiptarëve në fund të ditës nuk i mbet asgjë. Në vitin 2015, kur parlamenti nisi të dëgjojë gjithmonë e më shumë për projektet e partneritetit publik-privat, koncesionet, të shumtë qenë në opozitë, po edhe nga ana e mazhorancës, në fakt që e kundërshtuan si ide dhe si një adaptim të një mënyre të re qeverisje.

Në harkun kohor të shtatë viteve, 2017-2024, taksat e qytetarëve shqiptarë kanë paguar 840 milionë euro për partneritetet publike-private. Një shifër e frikshme për çdo standart, aq më tepër për standartet e buxhetit shqiptar.

Janë gjashtë nga 12 kontrata të cilat sot janë në hetim dhe një pjesë e madhe edhe me produktet e punës të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Janë pothuajse 650 milionë euro që sot po hetohen, ndërkohë që shifrat e familjeve shqiptare përsa i përket varfërisë, që nga 55% e familjeve që mezi e mbyllin muajin, deri tek 40% e të ardhurave që shkon për shpenzimet e jetesës, janë realiteti komplet tjetër që nuk ka lidhje me qeverinë e me vendimet e tyre.

Dhe sigurisht që e gjithë kjo tragjedi nuk ka lidhje me mesazhet që lexohen lart e poshtë, as me dosjet që heton SPAK-u, po sigurisht ka lidhje me një sistem të korruptuar, që tashmë fatkeqësisht është produkt edhe i këtij parlamenti, me ligjet që ky parlament kalon. Është një sistem i cili çdo ditë ushqehet me kartonat që ngrihen në këtë sallë, me ligjet që shkojnë në parlament, me projektet të cilat sot kanë marrë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. Një qeveri e cila kontrollon çdo kontratë, çdo koncesion, çdo tenderim publik, ku praktikisht e ka nxjerrë jashtë loje çdo ligj në këtë sektor.

E pikërisht kështu ligjet në favor të pakicës, ligje të cilat miratojnë nga aeroporte në Vlorë, tek kontrata koncensionare të tunele, siç është ai i Llogarasë, sigurisht që janë shëmbëlltyra më e mirë e qeverisjes, por janë ngritur raport pas raporti nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si burimi kryesor edhe i procedurave të korruptuara, por edhe i zbatimit të kontratave me standartet më të ulëta.

Po të lexosh raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit e kupton që sot buxheti është një han pa porta. Që nuk ka vlerë planifikimi. Që nuk ka vlerë asnjë proces buxhetor. Që buxheti ndryshohet me akte normative. Që nuk ka vlerë as sistemet e ngritura nga Ministria e Financave për pagesat online, sepse çdo gjë ndryshon sigurisht sipas oreksit të ministrave.

Ky sistem i mbyllur është sot shkaku që kemi një ekonomi të mbyllur, një mungesë konkurence. Ky sistem i mbyllur sot është edhe mungesa e një ekonomie tregu, që është kthyer fatkeqësisht në monopol, në sektorët më të rëndësishëm, ashtu siç kthyer në monopol edhe në prokurimet publike e koncesionet. Rrjedhimisht nuk është habi nga të gjitha dosjet që janë lexuar sot, majtas kryesisht, nga Meta te Veliaj, te Balluku, nuk ndryshon asgjë. Nga një ish-zëvendëskryeministër te një zëvendëskryeministër në detyrë, janë të gjitha mekanizma të një sistemi që mban në këmbë pikërisht atë që qeverisja e majtë e quan PPP, po atë që Kontrolli i Lartë i Shtetit e quan korrupsion.

Ky korrupsion i miratuar në këtë parlament e ka shkatërruar konkurrencën, ka shkatërruar ekonominë, po ka shkatërruar edhe besimin që ky vend mund të bëhet. Për sa kohë që ky sistem do të vazhdojë në këmbë, për aq kohë ekonomia do të vazhdojë të jetë e kapur. Për aq kohë familjet shqiptare do të kenë të pamundur që të sigurojnë jetesën. Për aq kohë do të vazhdojë të dëgjojmë për projekte mbas projektesh të cilat tregojnë se si korrupsioni i kthyer në sistem e pengon sot Shqipërinë të zhvillohet.