Performanca e shërbimeve publike: KLSH vë alarmin për shëndetësinë dhe mjedisin

Auditimet e performancës të kryera nga KLSH tregojnë se shërbimet thelbësore për qytetarët vuajnë nga mungesa e strategjive efektive. Në sektorin e shëndetësisë, administrimi i pajisjeve dhe personelit mjekësor është i mangët, duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe duke rritur kostot. Shpërndarja e burimeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë, duke rezultuar në një përkujdesje të pamjaftueshme. Në fushën e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe spitalore paraqet problematika të ndjeshme që rrezikojnë shëndetin publik. Për më tepër, përpjekjet për të adresuar ndryshimet klimatike janë të kufizuara nga mungesa e fondeve dhe planeve konkrete, duke e lënë vendin të ekspozuar ndaj sfidave afatgjata.

Kreu KLSH: Një vëmendje e veçantë i është kushtuar auditimeve të performancës, të cilat janë zhvilluar në sektor me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, si siç janë shëndetësia, arsimi, mjedisi, kultura dhe barazia gjinore.

Auditimet e kryera kanë treguar se institucionet publike ende nuk kanë konsoliduar një strategji të qëndrueshme drejt orientimit për rezultate dhe vlerësimit të ndikimit të programeve apo politikave si praktikë standarte menaxheriale.

Mangësitë në koordinimin ndërinstitucional, planifikimin, monitorimin dhe shfrytëzimin e burimeve reflektojnë në një nivel të ulët eficence dhe efektiviteti në zbatimin e programeve, politikave dhe strategjive publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve të ofruara dhe në perceptimin e qytetarëve për besueshmërinë e administratës.

Në sektorin e shëndetësisë, auditimet evidentuan mangësi në administrimin e pajisjeve dhe personelit shëndetësor mjekësor, duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe rritje të kostove. Gjithashtu shpërndarja e tyre nuk është në përputhje me nevojat reale të popullsisë, ndërsa përkujdesja ndaj pacientëve rezulton e pamjaftueshme.

Kjo për shkak të mungesës së një trajtimi gjithëpërfshirës të kapaciteteve të kufizuara menaxheriale dhe profesionale.

Në fushën e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe spitalore paraqet problematika të ndjeshme, ku mungesa e infrastrukturës së duhur dhe praktikave të sigurta rrezikon shëndetin publik dhe ndikon negativisht në mjedis.

Ndryshimet klimatike mbeten një sfidë e madhe ku përpjekjet institucionale janë të kufizuara për shkak të mungesës së fondeve, planeve konkrete dhe kapaciteteve për zbatim.