'Ligji për barazinë gjinore', Meta: Kush voton sot pro, voton kundër Familjes dhe Kombit Shqiptar
Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj ligjit për "barazinë gjinore", që pritet të miratohet sonte në Kuvend.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta e cilësoi ligjin "anti-Familje dhe anti-Atdhe", duke e konsideruar një tentativë për të shkatërruar vlerat tradicionale shqiptare dhe identitetin kombëtar.
Ai akuzoi qeverinë se po vepron në shërbim të qarqeve ndërkombëtare që duan të dëmtojnë Shqipërinë, dhe paralajmëroi se çdo deputet që e mbështet këtë ligj, po voton kundër Familjes dhe Kombit Shqiptar.
Postimi:
Aleatët e errësirës kanë vendosur të fusin sonte për miratim në Kuvend, në orët e vona, ligjin anti-Familje dhe anti-Atdhe të "barazisë gjinore", që godet në ADN familjen shqiptare dhe vlerat e shenjta të saj, si dhe kombin tonë, identitetin, traditat, historinë e kulturën.
Miratimi i këtij ligji të zi, të kundërshtuar nga të gjitha komunitetet fetare, në fakt është detyrim-përcaktim që "Rilindja" ka ndaj qarqeve mafioze ndërkombëtare që duan të shkatërrojnë Shqipërinë.
Është avancim i një anxhende antikombëtare të këtij Sekti, që në vazhdën e shpopullimit dhe shndërrimit të Atdheut në fermë të surogacisë, kërkon të shpërbëjë edhe me ligj familjen shqiptare.
Kush voton sot në errësirë pro këtij ligji voton kundër Familjes dhe Kombit Shqiptar!