Skandal/ Benet Beci në gjurmët e etërve, heq thënien profetike pranë xhamisë 'Ebu Bekër'
Një akt i paprecedentë dhe skandaloz ka ndodhur në Shkodër, që të rikthen në kohën e errët të diktaturës, ku feja u ndalua rreptësisht të praktikohej.
Bëhet fjalë për një tabele me një shkrim të një thënieje profetike mbi grabitjen e pronës, e vendosur nga Myftinia Shkodër pranë xhamisë "Ebu Bekër", e cila u hoq mesditën e kësaj të enjteje nga Policia Bashkiake me urdhër të kreut të Bashkisë, Benet Beci.
Tabela ishte vendosur pranë vendit ku po kryhen punimet për kullën në qendër të qytetit. Nga informacionet, rezulton se punonjësit e Policisë Bashkiake të Shkodrës, të cilët kanë ndërmarrë një veprim të tillë për heqjen e thënies profetike, pretendon se tabela ishte pa leje.
Edhe pse kjo tabelë ishte e vendosur prej vitesh, hiqet në një moment kur në të ishte vendosur thënia profetike: “Kush grabit padrejtësisht, qoftë edhe një pëllëmbë tokë, në ditën e kiametit, Allahu ka për t'i varur në qafë shtatë palë tokë!”
Një veprim i tillë vjen në muajin që përkon me rikthimin e lirisë së besimit në vendin tonë.
Kujtojmë se edhe më herët ka pasur kundërshtime dhe akuza nga drejtues të Myftinisë Shkodër për ndërtimin e kullës në qendër të qytetit, për sa i përket pronësisë.