Nata e dhunshme në Vallecas, përleshje e ashpër mes ultrasve të Rayo-s dhe Lech Poznan-it

Në lagjen madrilene të Vallecas-it ndodhi një natë e vërtetë lufte mes tifozëve ekstremistë të Rayo Vallecano-s dhe Lech Poznan-it, pak orë para ndeshjes së Conference League midis dy skuadrave. Sipas raportimeve spanjolle, rreth 400 persona morën pjesë në përleshjen e dhunshme që ndodhi në rrugë gjatë natës së mërkurë, ku u përdorën shufra hekuri, gurë, karrige dhe u shkatërruan disa lokale pranë stadiumit.

Policia Kombëtare ndërhyri me forcë për të shpërndarë turmat, madje u detyrua të qëllonte në ajër për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës. Nga incidentet një person u arrestua dhe të paktën një tjetër u plagos, të dy anëtarë të grupit ultra spanjoll ‘Bukaneros’. Arrestimi ndodhi pasi policia kapi disa tifozë të Rayo-s duke rrahur brutalisht një tifoz polak, duke bërtitur “Do të të vrasim!”.

Përplasja ndodhi midis dy grupeve me ideologji të kundërta: “Bukaneros”, të majtë ekstremë, dhe tifozët e Lech Poznan-it, të djathtë radikalë, të njohur si ‘Kolejorz’. Sherri nisi pasi një tifoz polak u fut fshehurazi në stadiumin e Vallecas, ku bëri një grafit dhe vendosi ngjitëse me simbolet e klubit polak, duke e publikuar më pas në rrjete sociale, një veprim që u mor si provokim i hapur.

Sipas sindikatës së policisë JUPOL, takimi mes grupeve ishte paralajmëruar në rrjete sociale, por autoritetet nuk morën masa parandaluese. Sindikata kritikoi “mungesën e planifikimit” dhe faktin që policët u përballën me dhunën pa pajisjet e nevojshme mbrojtëse.

 

Sot, pritet që në Madrid të jenë rreth 1.000 tifozë të Lech Poznan-it, prej të cilëve 250 pa bileta. Ndeshja është shpallur me rrezik të lartë, dhe 400 agjentë policie do të garantojnë sigurinë gjatë zhvillimit të saj.