Çmimi i Putinit për dirigjentin gjerman, zemëratë në Berlin

Një ligjvënës konservator në Berlin bëri thirrje për masa kundër dirigjentit gjerman Justus Frantz, i cili udhëtoi për në Moskë këtë javë për të marrë Urdhrin e Miqësisë nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Anëtari i parlamentit të Unionit Kristian Demokrat, Roland Theis, i tha  të enjten revistës “Berlin PlayBook” të POLITICO-s, se presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier duhet të revokojë Urdhrin e Meritës për Republikën Federale të Gjermanisë të Frantz-it.

“Kushdo që rreshtohet me një diktator, agresionet ushtarake hibride të të cilit, deri më tani, janë drejtuar kundër vendit tonë, nuk mund të jetë më bartës i Urdhrit Federal të Meritës”, tha Theis për POLITICO.

Putini të martën i dha çmimin muzikantit 81-vjeçar gjerman, duke thënë: “Për shumë vite, Justus Frantz ka dhënë një kontribut të frytshëm në nxitjen e marrëdhënieve më të ngushta dhe pasurimit të ndërsjellë midis kulturave të Rusisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.”

Në shkurt të vitit 2023, Frantz  nënshkroi “Manifestin për Paqe” kontrovers, një peticion online nga politikania e krahut të majtë Sahra Wagenknecht,  që bënte thirrje për negociata me Rusinë.

Sipas faqes së tij të internetit, Frantz ka performuar me orkestrat filarmonike të Berlinit, Nju Jorkut dhe Vjenës, si dhe me Orkestrën Simfonike të Londrës. Raportet thonë se ai është një admirues i kompozitorëve legjendarë rusë Pyotr Tchaikovsky dhe Sergei Rachmaninoff./ Politico.